
Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së premtes problematikën e pronave të sindikatave në Shqipëri të cilat nuk përdoren nga punëtorët por nga titullarët e sindikatave të cilët i kanë privatizuar, shitur apo dhënë me qira.
Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua Tedi Konomi, trashëgimtar i familjes Konomi në Vlorë, familja e të cilit ka trashëguar truallin ku ndodhet kampi i punëtorëve. Sipas tij, pronën prej 2140 metra katrorësh e kanë fituar me vendime të Gjykatës së Lartë në vitin 2004, madje e kanë hipotekuar.
Më pas, kanë mësuar në vitin 2012, se Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë këtë pronë e ka dhënë me qera, ku nuk kanë përdorur çertifikatën e re, por çertifikatën e pronësisë të vitit 1995. Pronari Tedi Konomi ka deklaruar se kontrata e qirasë është lidhur në vitin 2012 para noteres Majlinda Demollari pa dijeninë e pronarëve.
Ai thekson së në këtë aferë ka gisht sindikata e cila ka fshehur pronësinë, noterja Majlinda Demollari e cila nuk ka bërë rifreskimin e çertifikatës. Sipas Konomit këtë kontratë qiraje, qiramarrësi dhe konfederata e kanë dërguar në hipotekë dhe qiramarrësi i ka regjistruar godinat në emër të tij. Madje ai shprehet se qiramarrësi këtë kontratë qiraje e ka dërguar në bashkinë e Vlorës, nga e cila ka marrë leje të ndryshme nga viti 2012 e deri në vitin 2020.
Pas denoncimit, qytetari takon zotin Kolë Nikolla president i Federatës së Sindikatave të Shqipërisë duke i kërkuar shpjegime se përse e ka dhënë me qira truallin e familjes Konomi. Ai e pranon se e ka dhënë me qira në vitin 2012 me vërtetimin e 95-sës, pasi në atë kohë nuk ishte në sistem. Sipas Nikollës është bërë një shtesë kontrate dhe është hequr trualli i familjes Konomi. Madje ai shton se kontrata nuk është në fuqi dhe faji është i bashkisë së Vlorës që ka dhënë lejet.
Qytetari takon edhe noteren Majlinda Demollari e cila ka ligjëruar dhe hartuar këtë kontratë qiraje dhe i kërkon llogari Kolë Nikollës në telefon duke e pyetur çuditërisht se e kujt është prona, kur ajo duhet të kishte informacion të plotë rreth gjendjes së pronës në momentin kur e ka dhënë me qira.
Ndryshe nga sa ka shkruar në kontratë, noterja mundohet të justifikohet dhe i thotë se ka dhënë vetëm godinat dhe jo tokën. Më pas ajo i sygjeron qytetarit që për pronën e tij ai dhe zoti Nikolla të bëjnë një marrëveshje.
Top Channel