Pesë anëtarë të një familjeje nga fshati Koretin i Kamenicës kanë ndërruar jetë brenda një muaji, si pasojë e infektimit me COVID.

Nëna dhe katër fëmijët e saj nuk kanë arritur të përballojnë luftën me virusin. Të premten u regjistrua vdekja e pestë në këtë familje. Bëhej fjalë për një burrë, që vdiq pas dy motrave, vëllait dhe nënës.

Lajmi është konfirmuar nga autoritetet shëndetësore në Kamenicë si dhe kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati.

“Sapo mora lajmin që edhe anëtari i pestë i një familje nga Kamenica ka ndërruar jetë si pasojë e COVID19. Është tejet e dhimbshme për të gjithë ne. Numri i personave që nuk arritën ta fitojnë betejën me COVID19 ka arritur në 31. Prandaj, ju lutem, kujdesuni e respektoni të gjitha udhëzimet nga institucionet e shëndetësisë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, për humbjen e më të dashurve të tyre!”, ka shkruar ai në Facebook.

“Të humbasësh të dashurit tuaj është sprovë dhe harrimi i tyre është i pamundur, i kujtoj ata dhe sytë lotojnë nga malli për t’i takuar, pastaj natyrshëm lutemi: O Allah! Na bashko ne Xhennet me të gjithë ata që u larguan nga ne! O Allah forcoje çdo zemër që është sprovuar me ndarjen nga të dashurit dhe stolise me durim të bekuar! Pushoni të qetë gjyshe, babai, xhaxhi, halla dhe dajë. InshaAllah takomi në Xhennet së bashku siç e kaluam 1 muaj duke u munduar t’ju shpëtojmë nga Covid-19 por fatkeqësisht nuk ia dolëm, se Zoti ju deshti më shumë se ne…… Faleminderit stafit mjeksorë të Spitalit Rajonal të Gjilanit për kontributin e dhënë për familjen time… shpresojë që edhe unë të kontribojë për familjet e të tjerëve!”, shkruan infermierja Zyrafete Basha.

Top Channel