Foto ilustruese

Plaurent Dervishaj, shqiptari i shpallur në kërkim nga prokuroria e Posaçme SPAK për ekzekutimin e Klodian Saliut në 26 shkurt 2005, është arrestuar nga Interpol ABU DHABI në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Mbi Plaurent Dervishaj, 48 vjeç, banues në Durrës rëndojnë akuzat për veprat penale “vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit me pasoja të rënda”, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “vrasje të dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim”.

Pritet që 48 vjeçari të ekstradohet në Shqipëri.

Kujtojmë që më 8 dhjetor policia reagoi në lidhje me dy vrasjet e ndodhura në vitin 2005, të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, ku shpalli në kërkim Plaurent Dervishajn bashkë me Lulzim Berishën.

Policia e Shtetit

Vijon operacioni policor i koduar “Asgjë nuk harrohet”, i zhvilluar nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forcat Speciale Renea, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës e Vlorë, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Kukës dhe Interpol Tirana, nën drejtimin e SPAK-ut, si rezultat i të cilit u zbardhën dhe u dokumentuan dy vrasje të ndodhura në vitin 2005.

Vijimi i operacionit për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit është koordinuar nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Falë shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, për vendndodhjen e një prej personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar gjatë operacionit policor “Asgjë nuk harrohet”, koordinimit të veprimeve mes Interpol Tiranës dhe homologëve, u bë i mundur lokalizimi i vendndodhjes, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

Plaurent Dervishaj, 48 vjeç, banues në Durrës.

Arrestimi i tij është bërë nga homologët e Interpol ABU DHABI (Emiratet e Bashkuara Arabe), pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga ana e ZQK Interpol Tiranës, mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bazë të shkëmbimit të informacionit me Policinë e Shtetit, ku pas verifikimeve ligjore rezultoi se personi i kapur është Plaurent Dervishaj.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, mbi bazën e vendimit të datës 02.12.2020 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit ‘’Arrest në burg’’ për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”.

Nga ana e ZQK Interpol Tiranës, agjencive të tjera ligjzbatuese dhe zyrës homologe do të vijojnë procedurat e mëtejshme për ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

Top Channel