Shpëton buxheti i BE-së/ Hungaria e Polonia lëshojnë pe

11/12/2020 10:22

Hungaria dhe Polonia e tërhoqën veton e tyre kundër buxhetit të BE-së dhe bashkë me të arritën të anulonin për momentin mekanizmin e shtetit ligjor.

Gazeta besnike e qeverisë hungareze “Magyar Nemzet” shkroi: “Fituam”. Megjithatë, mjaft pjesëmarrës në samitin e BE-së në Bruksel dhe anëtarë të Parlamentit Evropian e shohin ndryshe. Kreu i grupit më të madh në parlament, politikani kristiansocial gjerman, Manfred Weber tha se nuk ka ndryshuar as teksti e as vlefshmëria e mekanizmit të kontrollit të sundimit të shtetit të së drejtës.

Deklarata shtesë që krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së i dhanë qeverive hungareze dhe polake, sipas Weber-it, “nuk është e detyrueshme me ligj”. Kjo është arsyeja se pse Parlamenti Evropian ndoshta nuk do të ketë probleme që të miratojë më pas edhe mekanizmin e e shtetit të së drejtës, edhe buxhetin, së bashku me fondin e pandemisë. Diplomatët belgë që merrnin pjesë në samitin e BE-së, i thanë DW-së, se ndryshe nga dëshira e Polonisë dhe Hungarisë, fusha e veprimit të klauzolave ​​mbi sundimin e shtetit të së drejtës, nuk kufizohen vetëm te menaxhimi i buxhetit. Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe homologu i tij polak, Mateusz Morawiecki, mendojnë se mund ta shtyjnë kontrollin e sundimit të ligjit në vendet e tyre para se BE të hedhe fonde në arkat e tyre.

Ata kanë marrë sigurinë se mekanizmi i sapo miratuar nuk mund të veprojë pa patur një vendim final nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Kjo mund të zgjasë me shumë muaj, në mos me vite. Morawiecki thotë se ai arriti të shmangë kështu që BE-ja të marrë “vendime arbitrare politike” kundër vendit të tij.

Top Channel