Menduam se u dorëzua/ Trump rinis betejën në gjykata

11/12/2020 11:27

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump vazhdoi përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen e tij ndaj presidentit të zgjedhur, Joe Biden duke u takuar një ditë më parë në Shtëpinë e Bardhë me prokurorët e përgjithshëm të shteteve republikane, të cilët po mbështesin një padi të ngritur nga shteti i Teksasit në Gjykatën e Lartë, përmes së cilës po tentohet të bëhen të pavlefshme miliona vota në shtetet ku ka fituar Biden.

Disa ekspertë ligjorë thanë se padia nuk kishte shanse për sukses, por Trump shkroi në Twitter, se “Gjykata e Lartë ka një shans për të shpëtuar vendin tonë nga abuzimi më i madh i zgjedhjeve në historinë e Shteteve të Bashkuara”. Twitter-i e shoqëroi postimin me shënimin se “pretendimi i Trump në lidhje me mashtrimin e zgjedhjeve është i pasaktë”.

Twitter-i e shoqëroi me të njëjtin shënim edhe një pretendim se zgjedhjet e 3 nëntorit ishin “më të korruptuarat në histori, deri tani. Ne fituam !!!” Por presidenti republikan ka humbi dhjetëra sfida gjyqësore ndaj fitores Biden në disa shtete që përcaktuan rezultatin e zgjedhjeve dhe tani e ka përqendruar përpjekjen e tij për të ruajtur pushtetin në padinë e Teksasit, e cila u dërgua në gjykatën e lartë të Shteteve të Bashkuara nga një prej mbështetësve e tij, Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton.

Padia e Paxton-it kërkon të zhvlerësohen rezultatet në katër shtetet kryesore të fituara nga Biden Biden – Xhorxhia, Pensilvania, Miçigani dhe Uiskonsin – me një total prej 62 votash elektorale.  Kolegji Zgjedhor dhe jo vota popullore, përcakton fituesin në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, me 270 vota elektorale të nevojshme për të siguruar shumicën.

Top Channel