Kompania farmaceutike nga Britania e Madhe, AstraZeneca njoftoi se do të përdorë vaksinën kundër koronavirusit, Sputnik V, që është prodhuar nga Rusia, duke e kombinuar me vaksinën që ka prodhuar në bashkëpunim me Universitetin e Oxford-it.

Kjo kompani britanike tha se vaksina ruse do të përdoret në provat e mëtejme klinike dhe se ato pritet të nisin në fund të këtij viti.

“Sot njoftojmë se do të nisim një program të provës klinike, për të vlerësuar sigurinë dhe imunitetin që prodhon kombinimi i AZD1222, të zhvilluar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oxford-it dhe vaksina Sputnik V, që është prodhuar nga Instituti rus për hulumtime, Gamaleya”, tha kompania farmaceutike AstraZeneca, në një njoftim për media.

Kirill Dmitriev, kreu i Fondit për Investimeve Direkte, që do të financojë këto studime, tha se Rusia është e përkushtuar për prodhimin e një vaksine, që do të dilte përmes kombinimit të vaksinës me kompaninë AstraZeneca. Ai tha se prodhimi i kësaj vaksine do të nisë, pasi provat klinike të dëshmojnë për efikasitetin e vaksinës.

Shkencëtarët rusë kanë sugjeruar se kombinimi i vaksinës së AstraZenecës dhe Sputnik V do të rrisë efikasitetin.

Në muajin nëntor, AstraZeneca njoftoi se nga provat klinike, ka dalë se vaksina e prodhuar në bashkëpunim me Universitetin e Oxford-it mund të ketë efikasitet deri në 90 për qind për ta luftuar koronavirusin e ri. Por, ekspertët ngritën shqetësimet e tyre lidhur me këtë shifër, pasi nga të dhënat e publikuara nga kompania britanike, në disa grupe njerëzish, gjatë provave për vaksinën, kjo e fundit kishte qenë efektive vetëm 62 për qind.

Ndërkaq, Mbretëria e Bashkuar është bërë vendi i parë në botë që ka nisur administrimin e vaksinës së kompanive Pfizer dhe BioNTech kundër koronavirusit. Grupet e para që po marrin këtë vaksinë janë të moshuarit dhe punëtorët shëndetësorë.

Top Channel