Bashkimi Evropian ka prezantuar planet eventuale në rast se dështojnë bisedimet me Britaninë e Madhe për të arritur marrëveshje pas Brexitit.
Planet synojnë të sigurojnë lidhje bazike tokësore dhe ajrore mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian, si dhe të lejojnë mundësinë e peshkimit në ujërat e njëra-tjetrës.
Këto plane vijnë pasi bisedimet në mes të kryeministrit britanik, Boris Johnson dhe shefes së BE-së, Ursula von der Leyen kanë përfunduar pa marrëvshje.
Mbretëria e Bashkuar pritet të ndalojë së aplikuari rregullat për tregti të BE-së më 31 dhjetor të këtij viti.
Mbretëria e Bashkuar është larguar nga blloku evropian në janar të vitit 2020, mirëpo një periudhë tranzitore 11-mujore u ka mundësuar të dyja palëve që të negociojnë për marrëveshje.
Bisedimet janë duke vazhduar, ndonëse Zyra e kryeministrit britanik ka thënë pas bisedimeve të ditës së mërkurë se mes qëndrimeve të liderëve ka “dallime të thella”.
Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab ka thënë se bisedimet mund të mos zgjasin përtej ditës së diel.
Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.
Top Channel