Nainggolan e Eriksen bëjnë gati valixhet, Interi zgjedh De Paul për mesfushën

05/12/2020 00:20

Trajneri Antonio Conte la të kuptohet se Radja Nainggolan mund të lërë Interin në muajin janar, duke u bërë mesfushori i dytë pas Christian Eriksen, që ka paketuar valixhet dhe është gati të largohet nga Milano.

Mesfushori belg, ashtu si danezi, po marrin shumë pak minuta nga Conte dhe duket se nuk kanë arritur të përshtaten me skemat e trajnerit, ndaj në merkaton e dimrit pritet të ndërrojnë ambient.

Belgu ka si destinacion të preferuar Cagliarin, ku ishte edhe sezonin e kaluar, ndërsa Eriksen ka oferta të shumta nga PSG dhe disa klube angleze, ndaj bashkë me drejtuesit e Interit do të vendosin për më të mirën.

Me largimin e tyre, në mesfushën e Interit pritet të krijohet një boshllëk jo i vogël dhe drejtuesit bashkë me Antonio Conten duket se kanë vendosur ta mbushin me afrimin e kapitenit të Udineses Rodrigo De Paul.

Ky i fundit ka 26 vite mbi supe dhe luan sezonin e pestë në kampionatin italian, ku është shndërruar tashmë në një ekspert dhe lider i skuadrës së Udineses, që e bleu për 3 milionë euro në 2016-ën nga Valencia dhe tani kërkon 35 milionë për ta lënë të lirë.

Argjentinasi e ka nisur karrierën si fantazist dhe tashmë është përshtatur shumë mirë si mesfushor në skemën 3-5-2 që preferon Conte, ndërsa grintës prej amerikano-latini i shton edhe aftësitë e larta teknike si në aspektin e driblimeve, ashtu edhe në nisjes së aksioneve, teksa nuk i mungojnë as asistet e nuhatja për golin.

Pikërisht për këtë arsye Conte e Marotta e shohin si futbollistin ideal për t’ia bashkuar organikës së Interit dhe kanë nisur negociatat me Udinesen, ku në pamundësi për të paguar 35 milionë euro, po punojnë të përfshijnë në shkëmbim edhe kartonin e sulmuesit Andrea Pinamonti.

Top Channel