Daja flet pas derbit: Fusha ishte skandaloze, nuk dua të merrem me rastet e moviolës

04/12/2020 23:59

Trajneri i Partizanit Ilir Daja u shfaq i kënaqur me barazimin në derbi, pasi në emisionin “Gol pas Goli” deklaroi se problemet e terrenit ndikuan edhe në cilësinë e lojës, ndërsa më pas refuzoi të bëhet pjesë e debatit për rastet e pretenduara për penallti.

Jeni i kënaqur me një barazim në derbi?
Derbi ka edhe gjendjen emocionale, por duke kaluar minutat dhe duke u ftohur gjakrat, mund të them se në një ndeshje të tillë e me një cilësi skandaloze të fushës, them se barazimi ishte një rezultat i drejtë dhe i mirë.

A ka diçka që nuk ju pëlqeu në fazën sulmuese?
Nuk është e mirë që të hyj në detajet teknike, pasi do reklamoja problematikat. Ne jemi mirë në fazën mbrojtëse, por unë nga prapavija pres që të qarkullojnë më shumë topin dhe të nxjerrin më shpejt skuadrën përpara. Mund të them se të gjithë mund të bënin më shumë për të qenë më të rrezikshëm. Kontrolli i topit ishte shumë i vështirë dhe kjo i detyronte lojtarët të luanin me topa të gjatë, gjë që nuk e kishim përgatitur në stërvitje.

Bardhi dhe Malaj mund të bënin më shumë në ndeshjen e sotme…
Të punosh mirë në fazën mbrojtëse ke bërë gjysmën e punës. Unë nuk dua të evidentoj lojtarë të veçantë, pavarësisht se ata nuk ishin në ditën e tyre më të mirë, por mund të them se nuk e interpretuam lojën në mënyrën e duhur. Kishte raste të pakta nga të dy ekipet, sepse topi qarkullonte në zona të parrezikshme, ndaj si Bardhi, ashtu edhe Mala e kanë pasur të vështirë të ruajnë ritmin.

A ndjeheni të favorizuar nga arbitri?
Të them të drejtën, edhe kur ndërhyj te arbitri, nuk e bëj për situata teknike, por për minutazhin e lojës apo për ndërhyrje që rrezikojnë karrierën e sportistit. Sot derbi ishte i luftuar, por lojtarët u sollën si profesionistë dhe mbizotëroi “Fair Play”. Nuk mund të them se u favorizuam, pasi nëse kthehemi pas në të gjithë ndeshjet që kemi luajtur, ju siguroj që peshorja nuk anon nga ana jonë.

Dëshironi t’i rishikoni pretendimet e Tiranës për penallti?
Unë nuk jam specialist i moviolës dhe nuk i kam kërkuar asnjëherë këto, por ndoshta rrëzimi më i shpejtë i Muçit ka ndikuar në vendimin e arbitrit. Megjithatë le t’ua lëmë specialistëve të moviolës t’i gjykojnë këto episode.

Top Channel