Një studim Ii fundit tregon se vaksina kundër COVID-19 e kompanisë Moderna, bën që sistemi imunitar i njeriut të prodhojë antitrupa të cilët qëndrojnë për të paktën tre muaj.

Testimet e kësaj vaksine kanë treguar se ajo është efikase në masën 94 për qind. Studiuesit në Institutin Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive (NIAID) në SHBA, që ishin pjesë e zhvillimit të vaksinës, analizuan përgjigjen imune të 34 pjesëmarrësve të rritur, të rinj dhe të moshuar, nga faza e parë e studimit klinik. Ata thanë se antitrupat, të cilët ndalojnë virusin SARS-CoV-2 të pushtojë qelizat njerëzore, “ranë pak me kalimin e kohës, ashtu siç pritej, por ata mbetën në organizmin e të gjithë pjesëmarrësve, 3 muaj pas vaksinimit”.

Personat që kanë marrë pjesë në studim janë vaksinuar dy herë, me një diferencë kohore prej 28 ditësh. Edhe pse numri i antitrupave zbehet me kalimin e kohës, kjo sipas ekspertëve, nuk është domosdoshmërisht një arsye për shqetësim. Sipas Anthony Fauci, dhe specialist të  tjerë, ka shumë të ngjarë që sistemi imunitar ta mbajë mend virusin, dhe nëse do të ekspozohet më vonë ndaj tij, mund të prodhojë antitrupa të rinj.

Top Channel