Ndaj Bylisit për t’u kthyer te fitorja, Vllaznia rigjen Isaevskin, Hoxhaj pritet titullar

03/12/2020 23:59

Vllaznia ka lënë pas zhgënjimin e provuar nga humbja e parë në kampionat, 2-4 përballë Kukësit në “Loro Boriçi”, pasi të shtunën do të rikthehet sërish në impiantin e shtëpisë, për të pritur mallakastriotët e Bylisit.

Skuadra vijon përgatitjet për sfidën e të shtunës, ku duke parë edhe momentin aspak të mirë që po kalojnë ballshiotët, fitorja mbetet opsioni i vetëm në fushë, për të rikthyer moralin e lartë dhe besimin te skuadra.

Ndaj Kukësit trajneri Brdaric modifikoi skemën për shkak të mungesave të mbrojtësit të majtë Isaevski për pezullim dhe sulmuesit anësor Da Silva, për dëmtim, megjithatë ndaj Bylisit pritet të rikthehet sërish te rreshtimi i tij i parë 4-3-3.

Kështu në mbrojtje pritet të konfirmohet të njëjtët, me Isaevskin që do të marrë vendin e tij, ndërsa në mesfushë do të ulet në stol Jonuzi, për t’i lënë vendin Herald Markut, që u sakrifikua në krahun e majtë të mbrojtjes ndaj Kukësit.

Sa i përket sulmit, braziliani Da Silva nuk është rikuperuar ende plotësisht dhe në vendin e tij pritet të luajë titullar vlonjati Ardit Hoxhaj, i cili vjen me moral të lartë pasi shënoi edhe golin e parë kuqeblu, pikërisht ndaj Kukësit.

Bashkë me Hoxhën pritet të luajnë nga minuta e parë edhe Demir Imeri e Dilaver, me këtë të fundit që nuk ka shënuar në dy ndeshjet e fundit në kampionat dhe do të provojë rikthimin te goli ndaj ballshiotëve.

Top Channel