Kohë festash/ Në pikun e pandemisë, Pompeo fton qindra persona brenda departamentit amerikan të shtetit

03/12/2020 11:52

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo ka ftuar qindra persona në departamentin amerikan të shtetit për pritje me rastin e festave, në ditët në vijim, pavarësisht paralajmërimeve të ekspertëve të shëndetësisë së amerikanët duhet të evitojnë tubimet e mëdha në mesin e përkeqësimit të pandemisë së koronavirusit.

Eventet e pritshme, ku do të ofrohen pije dhe ushqime për të ftuarit, vijnë ndërsa punonjësve të departamentit të shtetit u është thënë të mos organizojnë festa dhe të maksimizojnë punën në distancë nga Dita e Falënderimeve e deri në distancë për shkak të pandemisë dhe ndërsa anëtarët e stafit marrin thuajse çdo ditë email-e nga departamenti për shpërthimet e Covid-19 brenda godinës. Vetëm javën e shkuar, zyra e protokollit, që planifikon këto evente iu nënshtrua një dezinfektimi të thellë për shkak të një rasti të mundshëm.

Ftesat për një nga pritjet që do të mbahet në mes të dhjetorit i kanë shkuar rreth 900 personave dhe për një tjetër pritje janë ftuar 180 ambasadorë të huaj në SHBA. Një zëdhënës i departamentit të shtetit tha se eventet do të zhvillohen në respekt të udhëzimeve për koronavirusin me të ftuarit që duhet të mbajnë maskë dhe të distancohen.

Por është sidoqoftë e paqartë se si mund të respektohen këto udhëzime ndërkohë që më shumë se 100 persona janë të mbledhur në një sallë. Disa evente festive janë mbajtur edhe në shtëpinë e bardhë këtë javë, përfshirë një të martën, kur Trump foli për mundësinë e kalimit të katër viteve të tjera në zyrë. Festa të tjera do të mbahen në shtëpinë e bardhë në javët në vijim.

Top Channel