Vaksina, s’ka dritë jeshile/ BE shtyn aprovimin, Europa mund të mos e marrë para 2021-it

02/12/2020 02:09

Vaksinën e koronavirusit, Europa mund të mos e marrë përpara vitit 2021, thotë Forbes. Agjensia europiane e Barnave do ta japë vlerësimin e saj për vaksinën e Pfizerit dhe atë të Modernas përkatësisht në datat 29 dhjetor dhe 12 janar, ç’ka do të thotë se me shumë gjasë, përdorimi i tyre në kontinentin e vjetër do të shtyhet për vitin e ardhshëm.

Mendohet se vlerësimi i vaksinave nga rregullatori i BE-së do të bëhej në 22 dhjetor, e madje kryetarja e komisionit europian Ursula von der Leyen deklaroi se një valë e parë vaksinimi mund të niste që në fund të dhjetorit.

Por kjo nuk do të ndodhë sipas dokumenteve të siguruara nga Financial Times. Drita jeshile për vaksinat nga secili shtet anëtar i bllokut do të vijë tre apo katër ditë pas OK-it të Agjensisë Europiane të Barnave. Zhvillimi i fundit nënkupton se kjo nuk do të ndodhe përpara janarit. Të dhënat e paraqitura nga të dyja kompanitë farmaceutike tregojnë se vaksinat e tyre janë deri ne 95% efikase në parandalimin e Covid-19.

Por përpara se t’i dorëzojnë vaksinat e tyre, Pfizerit dhe Modernas u nevojitet autorizimi për përdorimin e saj, dhe këtë e kanë kërkuar si nga autoritetet amerikane, ashtu dhe nga BE-ja.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA thotë se po e shqyrton kërkesën e Pfizerit. Të hënë, Moderona njoftoi se kishte kishte aplikuar gjithashtu për të marrë një autorizim për vaksinën e saj.

Top Channel