Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka bërë thirrje që të nënshkruhet një peticion, i cili ka për qëllim krijimin e Qendrës Memoriale në Batajnicë të Serbisë.

Më 2011 në Batajnicë ishte zbuluar një varrezë masive, ku u gjetën 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës, të vrarë gjatë luftës së fundit.

“Me qëllim të zhdukjes së gjurmëve dhe të ikjes nga drejtësia, pas vrasjes në mënyrë monstruoze, kufomat e viktimave janë bartur mbi 400 km nga vendi i krimit, nga ana e urdhërdhënësve dhe ekzekutuesve, që ishin edhe zyrtarë shtetërorë të Republikës së Serbisë. Kjo hapësirë, ku janë varrezat masive shfrytëzohet ende sot nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë”, ka shkruar Kamberi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Ky peticioni është iniciuar më 2015 nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Ky peticion për krijimin e Qendrës Memoriale në Batajnicë, vjen në kohën kur në Kizhevak të Rashkës, autoritetet po kryejnë gërmimet, pasi është zbuluar një varrezë masive, ku dyshohet se janë varrosur mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës.

Lajmi për gjetjen e mbetjeve mortore në Kizhevak, më 16 nëntor e pati konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Më 20 nëntor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) tha se mbetjet mortore janë zbuluar në një gurore të madhe në Serbi, nga ekspertët e këtij misioni, të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur.

Ekspertët e këtij misioni është thënë se kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015 dhe në vitin 2020, derisa përparimi është arritur falë shfrytëzimit të imazheve fotografike nga ajri.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Serbi, Veljko Odalloviq, ka thënë se në bazë të të dhënave, në varrezën masive në Kizhevak, dyshohet se gjenden mbetjet mortore të 15 deri në 17 trupave.

Sipas një raporti mbi progresin e të drejtave të njeriut, që çdo vit publikohet nga Shtetet e Bashkuara, në pjesën për Kosovën, gjithashtu përmendet Kizhevaku si një vend në Serbi ku dyshohet se forcat serbe kanë varrosur eshtrat e shqiptarëve të Kosovës, të vrarë në fshatin Rezallë më 1999.

Kosova vazhdon t’i ketë 1,643 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga vitet 1998-99./REL/

Top Channel