Watkins i pafat, West Ham merr fitoren e tretë radhazi dhe ngjitet në vendin e 5-të

30/11/2020 23:41

Sfida nisi mjaft mirë për londinezët, që kaluan në avantazh që në minutën e tretë, pasi golit të shënuar nga mbrojtësi italian, Angelo Ogbonna, i cili kërceu më lart se të gjithë gjatë ekzekutimit të një këndoreje dhe dërgoi sferën në rrjetë.

Kundërpërgjigja e miqve ishte e shpejtë dhe në minutën e 25-të ishte një nga më të mirët e ekipit në këto javë të para, Jack Graelish, që lëshoi një goditje të fortë nga distance dhe shënoi duke rikthyer baraspeshën.

Menjëherë pas startit të pjesës së dytë ishte sulmuesi Bowen që dërgoi topin në rrjetë për herë të dytë, duke shënuar një gol që rezultoi me vlerën e tre pikëve për londinezët e West Ham.

Nga ana tjetër Aston Villa bëri gjithçka për të shmangur humbjen, por sulmuesi 24-vjeçar Ollie Watkins ishte vërtetë i pafat, pasi humbi një 11-metërsh dhe më pas në minutat shtesë shënoi, por goli iu anulua për pozicion jashtë loje.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për West Hamin, që u ngjit kështu në vendin e 5-të me 17 pikë, ndërsa Aston Villa zbret në vendin e 10 me 15 pikë, pas dy humbjeve radhazi në kampionat.

Top Channel