Nga kronika: Bohemë anglosaksonë në Paris

“Të jetosh është gjëja më e rrallë në botë, ndërkohë që pjesa më e madhe e njerëzve kënaqen që ekzistojnë …“

Wilde

Po të kalosh në Rue des Beaux Arts (Rruga e Arteve të Bukura, e quajtur kështu meqë pak hapa më tutje është Akademia e Arteve të Bukura të Parisit) dhe të ngresh kokën nga L’Hotel në numrin 13, do të shohësh dritaret e atij hoteli ku që prej një shekulli dhoma nr. 16 është bërë e famshme. Pikërisht në këtë lagje të Saint-Germain-des-Près kishte vdekur gjeniu i letrave Oscar Wilde, një njeri në mërgim i mbytur në borxhe dhe i drobitur në shpirt, në një hotel ku ai ishte detyruar të regjistrohej me një emër të rremë: Sebastian Melmoth … Burri që zbarkonte këtu më 1897-n, ishte një njeri i flakur nga vendi i tij aq sa edhe gruaja e tij Constance, bashkë me dy djemtë e saj të vegjël e kishin braktisur dhe ajo ishte detyruar të ndryshonte mbiemrin për të mos u quajtur më zonja Wilde.

Shumë herë kam ardhur në këtë hotel me miq të mi regjisorë, piktorë, shkrimtarë, me njerëz të tjerë të dashur, për t’u treguar vendin ku kishte vdekur ky njeri i “handakosur” dhe i braktisur nga familja e miqtë e tij. Sapo kishte dalë nga burgu, në një atmosferë mbytëse pas procesit që i bëri lord Queensberry, ati i të dashurit të tij Alfred Douglas, ai kishte nxituar t’i jepte fund jetës së tij prej martiri, duhej të ikte nga Anglia puritane dhe të vinte në Francë, si i vetmi vend që mund ta pranonte pa e dënuar për homoseksualitetin e tij. Sapo zbriti në brigjet e La Manche, nxitoi të shkonte si një personazh anonim në një fshat pranë Dieppe, në qytezën e humbur Berneval-sur-Mer. Shkrimtari André Gide i cili e kishte marrë vesh ardhjen e tij, ishte nisur menjëherë ta takonte dhe u habit që prej disa javësh ai jetonte në atë qytezë të humbur Takimi i tyre ishte i përmallshëm si miq të vjetër që ishin njohur më parë në Paris kur ai jetonte në Hotel Voltaire buzë Seine-s. Ajo ditë Wilde-in e gëzoi shumë dhe ai filloi ti tregonte për kujtimet e tij të freskëta në qelitë e Reading. I tha se “atje lexonte Danten në italisht, gjithë veprën e tij. “Por as Purgatori dhe as Parajsa nuk ishin shkruar për mua. Lexova në veçanti Ferrin. Si të mos e doja atë libër? Ne ishim në një ferr të vërtetë. Ferr ishte burgu…” Kohë më pas, Wilde-in shkoi ta takojë dhe regjisori i teatrit parisian Lugué Poëqë kishte vënë në skenë dramën e tij Salomé. Lidhur me këtë takim, në një intervistë, ai kishte thënë: “Ajo që dua të them është se i jam mirënjohës Francës që më njohu si artist pikërisht në momentin e poshtërimit tim dhe se në sajë të reaksionit të shkrimtarëve francezë, kushtet e burgimit tim atje u përmirësuan…”

Ndërkohë në vitin 1898 mori vesh që i vdiq gruaja e tij Constance, çka e vrau shumë. E ndjeu se kishte humbur gjithçka në këtë botë: prindërit, gruan, nderin e tij dhe të familjes, pasurinë e tij, gjithçka, madje dhe dashuria për Douglas ishte zbehur. Kështu Wilde u nis drejt Parsisit ku u vendos në Hotel Alsace, në Rue des Beaux Arts pranë Odeonit.

Në Paris ai kaloi vitet më të trishta dhe në mungesë të të dashurit Alfred, i cili kishte ikur ndërkohë në Itali. Në këtë hotel Wilde jetoi gjithnjë në mungesë parash pasi atë e kishin shpronësuar nga gjithçka. Shumë të njohur e ndihmuan me para. Tashmë s’mund të bënte më jetën e dikurshme mondane. Hoteli ku u vendos Wilde ishte një godinë interesante e ngritur mbi themelet e një ndërtese të vjetër ku dikur mbretëresha Margot bënte takimet e fshehta me të dashurit e shumtë të saj. Patroni i hotelit e vendosi atë në dhomën nr. 16, në një nga ato dhoma (me një aneks) që i vinin rrotull asaj strukture të çuditshme në formën e një torre pesëkatëshe, sikur të jesh në një far bregdetar apo qendër observacionesh kozmike. Pas vdekjes së Wilde, shumë vite më vonë, turistë të shumtë kërkonin ta shikonin këtë hotel dhe të flinin në dhomën ku kishte jetuar e vdekur gjeniu i madh. Dy nga më të njohurit janë padyshim Jorge Borghes dhe Jim Morrison.

Gjatë viteve 1974 – 1983, sa herë vinte në Paris, Borghes do të vendosej në dhomën e irlandezit të famshëm Wilde, i cili ishte një nga autorët më të parapëlqyer të tij. Aty Borghes shkroi dhe përfundoi librin Princi i lumtur dhe tregime të tjera. Më 7 maj të vitit 1971, pikërisht në atë dhomë ishte vendosur dhe Jim Morrison me të dashurën e tij, Pamela Courson. Dhoma nr. 16 … atje ku Wilde kishte mbyllur sytë. Biografët e tij tregojnë aventurat parisiane të Morrison kur i droguar, një ditë ishte hedhur nga kati i dytë por fatmirësisht nuk kishte vdekur, meqë kishte rënë mbi një makinë të parkuar pranë hotelit. Ashtu, me brinjë të thyera ai ishte ngritur, ishte mjekuar dhe ishte rikthyer sërish. Pikërisht në këtë hotel, Morrison kishte takuar Jean Breuteil, i cili i kishte dhënë atë dozë heroine që do ta shuante jetën e tij në një tjetër apartament parisian. Po në këtë dhomë vinte shpesh dhe kompozitori këngëtari Serge Gainsbourg, i cili kompozoi këtu muzikën e diskut Histoire de Melody Nelson. Aty, hija e përjetshme e Oscar Wilde grishte e vazhdon të grishë njerëz e artistë nga e gjithë bota.

Më 11 mars të vitit 1891 Wilde kishte shkuar të takonte Émile Zola-në, në një kohë kur sapo ishte botuar libri i tij Portreti i Dorian Grey. Zola që kishte botuar romanin La Guerre, i fliste atij për ngjarjet e romanit dhe se si i ishte dashur të shkonte në vendet ku ishin zhvilluar betejat e Sedan-it dhe të lexonte më parë dokumente historike rreth kësaj beteje. «Dokumentet kanë shumë rëndësi për të shkruar një roman, – kishte këmbëngulur ai. – Nuk ka roman të mirë nëse nuk është mbështetur në dokumente historike.» Ndërsa Wilde i ishte përgjigjur: «Atë po thoja dje dhe unë kur isha tek Alphonse Daudet. Për të shkruar Dorian Grey-in mu desh të lexoja dokumente të ndryshme, madje dhe mbi listën e bizhuterive të kohës. Dje kalova disa orë me një katalog të hortikulturës për të gjetur emrin e luleve dhe përshkrimin e tyre…».

Kur romani Portreti i Dorian Grey-it u botua, ai kishte deshirë t’ua dhuronte miqve më të afërt letrarë, siç ia dhuroi Mallarme-së, të cilin e konsideronte poetin më të madh të asaj kohe në Francë apo shkrimtarit të ri André Gide i cili e adhuronte dhe siç mendonte Wilde, kishte rënë në dashuri me të por Oscar kishte ende të dashurin e tij Alfred Duglas apo Bosie siç e quante me përkëdhelje ai.

Wilde dhe arvanitasi Moréas

Një nga miqtë e Wilde në atë kohë ishte edhe poeti arvanitas Jean Moréas apo Jani nga Morea, i familjes Papadiamanti, që siç shkruante Apollinaire ishte shqiptar nga të dy prindërit. Nga nëna ai ishte i familjes Tombazi që nxori admiralët e famshëm të ishullit Hidra dhe që u bënë legjendarë gjatë revolucionit grek për pavarësi. Kur Oscar Wilde u arrestua në prill të vitit 1895 për homoseksualitet dhe u dërgua në burgun anglez të Reading, ish-miqtë e tij, si Pierre Louÿs (me të cilin ndanin të njëjtat shije intime), Jean Moréas dhe amerikani Stuart Merril, që nga Parisi i drejtuan atij një telegram solidariteti duke e mbështetur në sprovën e vështirë që kishte përpara. “Mos harroni Oscar Wilde”, thërrisnin ata në shtypin letrar për mikun e tyre që vuante në burg, ku Wilde do të shkruante poemën e famshme të tij The Ballad of Reading Gaol, këtë baladë poetike rreth një kalorësi të Royal Guard, i cili kishte vrarë gruan që donte dhe priste në qeli ditën që do të varej.

Në Paris, Wilde kishte gjetur miqtë e tij të vjetër, veçanërisht poetë. Takoheshin në kafenetë e njohura por tashmë më pak luksoze. Miku i Moréas-it, poeti Henri Régnier, duke përshkruar këtë “dandy” anglez me një lule në jakën e xhaketës dhe me cigaret e tij ekzotike, shkruante dhe për takimet e tij me Moréas-in në Paris. “Wilde sapo kishte kaluar drekën me Maurice Barres dhe Moréas. Ishte kureshtar për të gjitha mendimet e intelektualëve, për mendimet e guximshme, konçize e gjeniale të të parit që ishin në fakt pohime të shkurtra, sonore e kategorike të të dytit.” Pavarësisht nga xhelozitë me njëri-tjetrin, Wilde dhe Moréas do të mbeteshin miq. Moréas e çmonte talentin e madh të autorit të librit Portreti i Dorian Grey-it. “Në orën pesë pasdite, – shkruan biografi Ellman, – në vitin 1900, (pra vitin që vdiq), Wilde shkonte në Café de la Regence, pastaj darkonte në Café de Paris ku qëndronte deri në orën dy-tre të mesnatës. Shpesh e gjeje dhe në barin Calisaya në shoqëri me Ernest La Jeunesse dhe Jean Moréas.”

Studiuesi Richard Ellman, në librin e tij Oscar Wilde, i referohet gjithashtu tregimit të letrarit amerikan Stuart Merril, i cili atë kohë shoqërohej shpesh në Paris me anglezin Wilde por edhe me Moréas-in dhe grupin e partizanëve të tij. Ai shkruan se ishte Stuart Merrill që plotësoi dëshirën e Wilde-it të takohej me Jean Moréas. “Moréas e ftoi Wilde-in të hanin darkën bashkë me fanët e tij në Côte d’Or, në cep të Rue Medicis. Atëherë Moréas fliste për shkollën romane që sapo ishte krijuar dhe në të cilën ishin bashkuar Mourras, Raynaud, du Plessys, La Tailhède e të tjerë. Moréas-i i shante poetët e tjerë … Kur do të hanin ëmbëlsirën, Wilde iu lut Moréas-it t’i recitonte disa vargje. – Unë nuk recitoj asnjëherë! – i tha mjeshtri, – por nëse doni, miku ynë Raynaud do të na recitojë diçka. Raynaud u ngrit dhe duke vendosur duart mbi tavolinë, recitoi poezinë e tij Sonet kushtuar Jean Moréas-it. Recitimi u shoqërua me duartrokitje dhe Wilde nxitoi përsëri t’i thoshte Moréas-it që t’i recitonte diçka të tijën. – Jo! … Edhe miku im La Tailhède … Dhe tjetri u ngrit duke rregulluar monoklin në syrin e tij filloi me një zë të qartë: Ode për Jean Moréas-in. Ky kult për Moréas-in e vuri Wilde-in në siklet dhe me mirësjellje iu lut mjeshtrit përsëri. Por mjeshtri tha: – Du Plessys, le t’i dëgjojmë vargjet e tua! Dhe Du Plessys u ngrit dhe filloi menjëherë poezinë Varri të Jean Moréas. Atëherë Wilde, i cili në sallonet e Londrës bënte që të tjerët para tij të heshtnin, meqë iu mor fryma, rrëmbeu kapelën e pallton dhe humbi në errësirë. Por Wilde e ftoi më pas Moréas-in, Merril, Tailhéde, Gomez Carrillo dhe të tjerë për një darkë …”

Një kujtim të këndshëm të shëtitjeve të Moréas-it me Wilde-in na ka lënë dhe poeti Apollinaire në shkrimin e tij për Jean Moréas në Bredharaku i dy brigjeve. “Një mbrëmje, i ndodhur prapa Moréas-it, Oscar Wilde e pa atë duke ecur dhe thirri: – Shikojeni, ai po vozit! … Moréas shkonte i menduar, duke lëvizur krahët e tij të mbledhura si të një lundërtari që largon valët nga barka, në mënyrë që ajo të shkojë përpara. Kështu dhe në tokën magjike të Kolkidës, Argonautët kërkuan lëkurën e dashit të artë». Edhe studiuesi Frédéric Ferney, në librin e tij Oscar Wilde dhe hiret e lavdisë, shkruan se Wilde-in e përfshiu dekadentizmi francez i asaj kohe. «Dekadenca në Francë erdhi pas disfatës. Rimbaud, Corbière, Mallarmé, Moréas, Laforge, Huysmans, që të gjithë ishin të mbrujtur nga ajo dallgë, pasi romantizmi që kishte shterur e kishte mbyllur orkidën e saj të çuditshme, helmuese dhe të sëmurë.”
Pikërisht në vitin 1900, vitin kur vdiq Wilde, Moréas do të ngrinte zërin në emër të lirisë së artistit dhe në mbrojtje të një tjetër shkrimtari, Georges Eckhoud, i cili ato kohë kishte botuar romanin Escalvigor, ku kishte dhe personazhe homoseksuale. Për ta mbrojtur, përmes revistës Mercure de France, Moréas-i u bëri thirrje emrave më të njohur të letërsisë, si Anatole France, Emile Zola, Heredia, Barres etj., duke shkruar një peticion me 80 firma. Kështu shkrimtari nuk u dënua.

Në vitin 1898, meqë Wilde nuk kishte më para, ishte gazetari amerikan Franc Harris që do ta ndihmonte të pushonte disa muaj të verës në një fshat pranë Cannes, në La Napoule, çka do ta bëjë të harrojë disi vuajtjet e tij. «Banorët këtu kanë sy të mrekullueshëm, – i shkruante ai një miku të tij, – praktikisht jam fejuar me një peshkatar të ri me një bukuri të jashtzakonshme 18 vjeçar». Por me kalimin e sezonit, i duhet të kthehet përsëri në Paris. Pa para, ai i shkruan një letër mikut të tij André Gide që ti huazonte para. «Jam shumë i trishtë këto çaste, – i shkruante ai, – pasi botuesi në Londër s’më ka dërguar asnjë para. Jam në një gjendje të mjerushme. Nuk di nëse mund të më ndihmoni me 200 franga, çka do të më bënte të lumtur. Ju e shikoni se tragjedia ime po më bën të jetoj një jetë ç’njerëzore. Varfëria është e tmerrshme pasi ta përlyen shpirtin…»

Viti 1899 ishte viti i një mjerimi të madh të Oscar Wilde. Tashmë edhe ai kishte turp nga vetja dhe gjithnjë dilte nëpër rrugë sapo errësohej. Zyrtarisht ai gjithnjë quhej Sebastian Melmoth por miqtë letrarë e artistë e njihnin të gjithë cili ishte. I veshur keq, shpesh i pirë, ai jetonte veç me borxhe dhe me ndonjë ndihmë të miqve të dikurshëm. Tashmë ishte larguar dhe nga rrethi letrar parisian. Një ditë, kur shëtiste drejt parkut të Saint Cloud, kishte takuar rrugës një miken e nënës së tij, konteshën Brémont, të cilës gjatë bisedës, para se të ndahej i tha: «Koha ime mbaroi. Vepra ime është shkruar tashmë. Kur të mbaroj së jetuari, atëherë kjo vepër do fillojë të jetojë…» Tani as për të shkruar nuk mundëte më, edhe pse dashuria me djaloshin peshkatar të La Napoule e kishte frymëzuar duke shkruar disa strofa për të për një libër të ardhshëm, Balada e peshkatarit të ri. Një tjetër ditë, në mbrëmje, duke ecur në bulevard, André Gide dëgjoi se dikush po e thërriste. Ai ndaloi dhe mezi e kishte njohur. Ishte Wilde, ulur në kafene. Wilde e kuptoi se mikut të tij po i vinte keq dhe një lloj turpi të rrinte me të. Por i vënë në siklet André Gide u ul në tavolinën e tij me kurriz nga kalimtarët që të mos e shikonin. Wilde e kuptoi dhe siç kujtonte Gide kishte tërhequr një karrige pranë, dhe i kishte thënë të ulej krah tij. Gide e kujtonte me dhimbje atë natë kur i dukej se ishte ulur në krah të një lypësi… “Tani jam keq dhe i vetmuar, – kishte thënë Wilde. – Kur takoja dikur Verlaine-in, shtoi ai me një fare krenarie, unë nuk skuqesha nga turpi. Atëhere isha i pasur, i gëzuar dhe plot lavdi. Por e ndjeja se duke u ulur pranë tij unë e kisha për nder edhe kur ai ishte i dehur… “Ky kujtim, – vazhdonte Gide, – tani për mua është i dhimbshëm. Doja të ikja duke e përshëndetur kur ai më mbajti për krahu dhe me zë të ulët më tha: “Dëgjo, duhet ta dish se unë jam pa asnjë të ardhur”. Po, Wilde ishte kthyer në një lypës dhe duke e mbajtur nga dora më së fundi i kishte thënë: “Nuk duhet t’ia vësh re një njeriu që e ka goditur jeta!”… Disa ditë më vonë Gide e kishte takuar sërish në rrugë, duke ecur ashtu rëndë-rëndë me hapat e tij të mëdha dhe i gërmuqur.” Me trishtim i kujtova Wilde-it premtimin që më kishte dhënë kohë më parë se s’do të dukej në Paris pa një dorëshkrim të ri”. Por në atë skamje e dëshpërim të madh Wilde s’do të shkruante më.

Në muajt e parë të vitit 1900, në varfëri të plotë dhe i përplasur nga një karrocë që i theu nofullën, i mbyllur në hotel, Wilde i shkruante shokut të tij Robert Ross: “Realisht nuk mund të shkruaj më. Kjo është e tmerrshme. Eshtë një lloj paralizie që e ka pushtuar gjithë qenien time.” Në një letër tjetër ai i pohonte ndër të tjera: “Diçka ka vdekur dhe është vrarë brenda meje. Nuk kam asnjë dëshirë. Eshtë e qartë se viti i parë në burg e shkatërroi trupin dhe shpirtin tim.”. Më 10 tetor u operua nga veshi të cilin e kishte dëmtuar në burg dhe që gjithnjë e më shumtë i shkaktonte dhimbje të mëdha. Më 12 nëntor, i pushtuar nga ethet ai pëshpëriste: “Po vdes i varfër!

Vdekja e Oscar Wilde

Kur miku i tij anglez Robert Ross kishte shkuar ta takonte Oscar Wilde-n në hotel, një muaj para se autori i dramës Salome-së dhe Portreti i Dorian Gray të vdiste, Oscar i kishte thënë se kishte parë një ëndërr sikur kishte ngrënë në tavolinë me disa të vdekur. Pas operacionit të tij gjendja ishte rënduar ndërkohë që patroni i hotelit paguante gjithçka për klientin që s’kishte një dysh në xhep dhe që asnjëherë nuk foli për paratë e harxhuara për Wilde. Miku i tij Robert Ross që i qëndroi afër gjer minutat e fundit, në një letër që është botuar veç para disa vjetësh, rreth mikut të tij kishte shkruar:

“Më 2 nëntor, ditën e të vdekurve, shkova në varrezat e Père Lachaise. Në kthim, Oscar më pyeti nëse kisha gjetur një vend atje për varrin e tij të ardhshëm. Fliste për një epitaf për veten e tij në një mënyrë aq të paqtë sa nuk mendoja se ai do të vdiste aq shpejt. Më 12 nëntor u ktheva sërish në hotel bashkë me mikun tim Reggie për ta përshëndetur para se të shkoja në jug të Francës. Oscar-i më fliste përsëri për hallet e tij financiare, borxhet por ndërkohë që po flisnim, postieri solli një letër të Alfred Douglas. Pastaj Oscar zuri të qajë por shpejt e mblodhi veten. Para se të iknim ai i tha Reggie-t dhe infermierit që të dilnin pak se donte të ndahej me mua. Ata dolën. Më foli përsëri për borxhet e tij. Pastaj qau sërish. Më tha se diçka e madhe po ndodhte me veten e tij dhe se unë s’do ta shikoja më; se ai po shikonte fundin e jetës së tij. Dhe kjo vazhdoi rreth treçerek ore. Të nesërmen u nisa. Reggie shkonte çdo ditë ta shikonte dhe më dërgonte lajme. Më 27 nëntor lajmet ishin shqetësuese. Të mërkurën në mbrëmje përsëri një letër: ‘S’ka më shpëtim.’ Të nesërmen në mëngjes mora trenin për në Paris. Doktor Tucker dhe doktori Kleiss, një specialist që kishte thirrur Reggie, më thanë se ai mund të jetonte ndoshta edhe disa ditë. Ishte dobësuar tmerrësisht. Lëkura e trupit i ishte zbardhur. U përpoq të fliste por e kuptonte se kishte njerëz në dhomë. Kur e pyeta nëse më kuptonte ai ngriti dorën. Më shtrëngoi duart. Shkova të kërkoj një prift … At Cuthbert Dunn-in mezi e gjeta dhe ne shkuam menjëherë në dhomën e tij që t’i bënte veprimet e fundit të lamtumirës. Atë natë unë dhe Reggie fjetëm në hotel, në një dhomë më sipër por dy herë gjatë natës erdhi infermieri të na zgjonte se kujtonte se po vdiste. Pas orës një të natës ne qëndruam në dhomën e tij. Zhurma e dhimbshme e fytit bëhej gjithnjë e më e fortë. Në orën 01:45 ritmi i frymëmarrjes së tij ndryshoi. Shkova pranë krevatit dhe i mora dorën. Kishte një puls të çrregullt. Lëshoi një psherëtimë të thellë, e vetmja psherëtimë që kur kisha ardhur aty. Gjymtyrët dukej se po i lëshoheshin në mënyrë të pavullnetshme. Frymëmarrja po bëhej gjithnjë e më e dobët. Vdiq në orën 01:50. Meqë ligji e ndalonte të regjistroheshe në një hotel me një emër të rremë, patëm shumë vështirësi për të bërë dokumentet e varrimit. Gjithë natën shkonim e vinim nga bashkia në polici. Të nesërmen në mëngjes ia behën gazetarët dhe ata që i kishin dhënë para borxh. Më pas erdhi dhe doktori i bashkisë, i cili, meqë Wilde ishte regjistruar me emër të rremë, na pyeti nëse kishte vrarë veten apo e kishin vrarë, çka më revoltoi … Por më së fundi ai e hodhi firmën për ta varrosur. Pastaj u shfaq një tjetër person që më revoltoi sërish. Ai më pyeti për çmimin e çadrës së Oscar dhe se sa qafore kishte. Pastaj njëri pas tjetrit erdhën një sërë poetësh për ta parë trupin e tij si dhe ca zonja angleze mbuluar me shami që dhanë emra të rreme. Oscar-i ynë i dashur kishte një pamje të paqtë e dinjitoze ashtu si atë ditë që kishte dalë nga burgu. Të hënën në mëngjes në orën 09:00 kortezhi e la hotelin dhe mori rrugën drejt kishës Saint-Germain-de-Près. E ndoqëm arkivolin në këmbë: Alfred Douglas, Reggie Tourner dhe unë, patroni i hotelit Dupoirier dhe infermieri … Pas meshës karrocat u nisën për në varrezat e Bagneux. Patroni i hotelit vuri një kurorë të bukur me shënimin ‘A mon locataire!’ (‘Klientit tim’). Në një tjetër ishte shkruar ‘Nga shërbimi i hotelit’. Kisha blerë me nxitim një copë vend në Bagneux por më vonë, një baroneshë gjermane që s’deshi ta tregonte emrin dha paratë për ta vendosur në Père Lachaise”.

Mbi varrin në Bagneux, pas ceremonisë të Klasit 6-të që bëhej vetëm për më të varfërit, miku i tij Ross kishte shtuar një stelë me një varg të Job nga Testamenti i Vjetër dhe që Wilde-it i pëlqente shumë kur ishte në burgun e Reaging: «Verbis meis addere nihil andebant et super illos stillabat eloquium meum»… («Pas fjalëve të mia nuk pati më pyetje dhe mendimet e mia u shpërndanë ngado». Më pohtë ishte shtuar shënimi «Requiescat paix», («Që të pushojë në paqe») Skulptori Jean Epstein, në Londër mori përsipër të bënte monumentin e tij funebër që do të vihej në varrin e ri në Père Lachaise. Epstein i dinte përmendësh vargjet e Wilde dhe pasi e gdhendi në një gur prej 20 tonësh atë e transportuan për në Père Laxhaise në vitin 1912. Ishte figura e një lloj sfinksi me krahët e mbledhur, me buzët e trasha të Wilde dhe ku në atë nuditet shquhej dhe seksi i tij. Poshtë ishte skalitur:

«Lotët e të tjerëve do të mbushin/ urnën e thyer të mëshirës / sepse këto lotë janë të të handakosurve/ dhe se të handakosurit qajnë gjithnjë…»

Kisha ndaluar disa herë para këtij varri mistik dhe kujtoja gjithnjë atë fotografi pak të njohur, që i dashuri i tij francez Maurice Gilbert kishte shkrepur në shtratin e tij të vdekjes. Ishte pamja e një braktisjeje të madhe, të cilën ai e vuajti shumë siç kishte shkruar dhe në baladën e tij:

”Të gjithë vrasin atë që e duan

dhe çdokush ta dëgjojë mirë!

Disa e bëjnë me një vështrim të ftohtë,

disa me një fjalë përkëdhelëse,

i poshtri me një puthje,

njeriu trim me një shpatë!”

Që nga ajo kohë, dhoma 16, në Rue des Beaux Arts, e cila mban numrin ters 13, hyri në historinë e Parisit siç ka hyrë dhe dhoma e hotelit ku vdiq Paul Verlaine, apartamenti ku vdiq Victor Hugo, në Avenue Victor Hugo dhe shumë gjeni të tjerë të Francës apo të botës … Më ka ndodhur të kaloj mbrëmjeve poshtë këtij hoteli dhe të ngre kokën drejt dritareve, si për të ndier grahmën e fundit të martirit dhe poetit të madh. A nuk thoshte ai se “artisti është krijuesi i gjërave të bukura” … se “duhej të jetonim sikur vdekja të mos ekzistonte dhe të vdisnim sikur të mos kishim jetuar kurrë!”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA