Franca heq dorë nga ligji i kontestuar i ndalimit të filmimit të policëve

30/11/2020 18:41

Kryetari i partisë në pushtet të presidentit francez Emmanuel Macron, tha sot se qeveria do të heqë dorë nga ligji i kontestuar i ndalimit të filmimit të oficerëve në detyrë, i cili do të rihartohet.

Christophe Castaner, president i grupit të partisë ‘La Republique en Marche’ në parlament, tha për gazetarët se qeveria pranon “keqkuptimet” që kanë lindur nga neni 24 i Ligjit të Sigurisë Globale.

Castaner tha se neni 24, ku ndalohet filmimi i oficerëve në detyre, do të hiqet dhe do të rishkruhet për një dorëzim të dytë.

Legjislacioni kishte marrë dritën jeshile nga parlamenti para një jave duke u miratuar me 388 vota ndaj 104, dhe 66 abstenime. Por ai ka shkaktuar zemërin të gjerë publik dhe protesta për faktin se shkel të drejtën e lirisë së fjalës dhe shton autoritarizmin e organeve te rendit.

Ligji thoshte se shpërndarja e imazheve të policëve në detyre “me qëllim dëmtimin e integritetit të tyre fizik ose psikologjik”, dënohet me një vit burg dhe maksimum prej €45,000 gjobë, por kjo sipas ekspertëve cungon liritë e shtypit dhe fsheh incidente të mundshme të brutalitetit të policisë.

“Neni 24…nuk do të ketë pasoja as për imazhet e publikuara së fundmi,” shtoi Castaner duke iu referuar një episodi të rëndë të publikuar javën që shkoi ku tre policë rrihnin dhe kërcënonin në mënyrë brutale një producent muzikor me ngjyrë në Paris.

Të shtunën rreth 46,000 njerëz dolën në rrugët e Parisit për të demonstruar kundër ligjit.

Lexi edhe: https://top-channel.tv/2020/11/28/mijera-protestues-ne-france-kunder-ligjit-qe-ndalon-filmimin-e-policeve-foto-video/

FOTO GALERI
1/3
Christophe Castaner tha për gazetarët se qeveria pranon "keqkuptimet" që kanë lindur

Top Channel