Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes Albin Kurti e ka quajtur referendum fitoren e Shpejtim Bulliqit në komunën e Podujevës.

Sipas tij, referendume të tilla do të ketë edhe në të ardhmen në nivel të Kosovës. Triumfin pa balotazh në zgjedhjet e sotme, ish-kryeministri Kurti para mijëra qytetarëve që kishin dalë për të festuar në sheshin e Podujevës, e konsideroi si legjitimim për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Kjo nuk është zgjedhje sepse nuk është vetëm zgjedhje. Kjo që ka ndodhur sonte është referendum. Jo vetëm sonte por edhe në të ardhmen në Kosovë do të ketë referendume dhe do të ketë më shumë se zgjedhje atëherë kur mbahen votimet. Do të ketë referendum se populli është i përcaktuar për Vetëvendosjen. Atë çka bëjnë qytetarët kur votojnë është se e legjitimojnë përcaktimin e tyre, ata po e legjitimojnë lëvizjen për atë çka janë përcaktuar”, tha ai.

E kryetari i sapo zgjedhur i Podujevës, Shpejtim Bulliqi iu betua qytetarëve llapjanë se do ta kenë gjithmonë derën e tij hapur.

“Nga këtu ju betohem që dera ime do të jetë hapur për ju, sepse pushteti lokal është i juaji. Ky pushtet do të përkujdeset edhe do t’iu plotësojë gjitha kërkesat dhe nevojat e juaja”, tha ai.

Shpejtim Bulliqi fitoi zgjedhjet e sotme në Podujevë me 51.6 për qind të votave.

Top Channel