Një varg shtetesh evropiane po zbusin masat kufizuese kundër koronavirusit, pavarësisht se shifrat në ulje të infektimeve nuk e kanë nxjerrë Evropën nga qendra e pandemisë.

Javën e kaluar, kontinenti regjistroi më shumë raste infektimesh sesa SHBA-ja. Sidoqoftë, disa shtete po zbusin masat në prag edhe të sezonit të festave, duke mbajtur mbi të gjitha parasysh ndikimin e këtyre masave në ekonomi, teksa Krishtlindja po afrohet. Dyqanet do të mund të shesin mallra jo të domosdoshme në Francë nga 27 nëntori, kanë njoftuar autoritetet, duke bërë të ditur se izolimi kombëtar mund të hiqet më 15 dhjetor, nëse shifrat për koronavirus përmirësohem. Belgjika ka njoftuar se dyqanet mund të rihapen më 1 dhjetor, mirëpo izolimi i pjesshëm do të zbatohet deri në mesin e muajit janar.

Italia do të lehtësojë kufizimet në pesë rajone nga 29 nëntori, ndërsa Irlanda ka njoftuar se do të lejojë hapjen e disa bizneseve. Ndërkohë në Gjermani, numri i infeksioneve të koronavirusit arriti në 1 milion të premten. Në anën tjetër, në SHBA po bëhen thirrje për qëndrim në shtëpi, ndërsa rritet numri i të infektuarve. Los Angelosi do të nisë së zbatuari urdhrin trejavor, të cilit do t’i nënshtrohen 10 milionë banorë, teksa rritet numri i të infektuarve me këtë virus.

Ky urdhër u ndalon banorëve që të mblidhen me të tjerët jashtë shtëpisë, mirëpo lejon organizimet fetare dhe protestat, meqë janë të mbrojtura me kushtetutë. Restorantet në këtë qytet janë të mbyllura, por dyqanet dhe bizneset tjera jo të domosdoshme do të mbeten të hapura me kapacitet të kufizuar. Numri i të infektuarve me koronavirus, i të shtruarve në spital dhe të vdekurve, është rritur në Shtetet e Bashkuara së fundmi, çka ka nxitur masa kufizuese në shumë shtete dhe qytete. Një ditë pasi amerikanët festuan Ditën e Falënderimeve, qendrat tregtare raportuan numër të vogël vizitorësh ndërkohë që po rriten shitjet përmes shërbimeve online. Në nivel global, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar më shumë se 61 milionë persona të infektuar me koronavirus dhe 1.4 milionë viktima.

Top Channel