OBSH: Frenimi i Covid-19, kur të paktën 60 për qind e popullatës të imunizohet

28/11/2020 01:28

Rreth 60 apo 70 për qind e popullatës duhet të jetë e imunizuar ndaj koronavirusit të ri, në mënyrë që të ulen infektimet, thonë ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kjo shkallë e imunitetit është bazuar në një sërë studimesh, tha drejtoresha për vaksinat në OBSH, Katherine O’Brian gjatë një konference për media të mbajtur të premten në Gjenevë.

O’Brien, megjithatë theksoi se shkalla aktuale e nevojshme e imunizimit për këtë pandemi, do të bëhet edhe më e qartë kur të ketë më shumë të dhëna rreth vaksinave kundër koronavirusit.

Disa kompani tashmë kanë njoftuar se vaksinat e tyre ofrojnë mbrojtje nga koronavirusi deri në 90 për qind. “Është shumë e rëndësishme që të kemi më shumë informacione”, tha ajo.

Përveç informacioneve se sa janë efektive vaksinat kundër sëmundjes COVID-19, sipas O’Brien, sfidë do të mbeten personat asimptomatikë. Po ashtu, sipas kësaj zyrtareje të OBSH-së, mbetet të shihet nëse vaksinat e zhvilluara kundër koronavirusit, do të parandalojnë përhapjen e mëtejshme të këtij virusi.

Ditëve të fundit, disa kompani farmaceutike kanë njoftuar për të dhëna premtuese për vaksinat që kanë zhvilluar kundër koronavirusit.

Top Channel