Macron dënon keqtrajtimin nga policia të një producenti muzike me ngjyrë

28/11/2020 04:24

Presidenti Emmanuel Macron tha të premten se pamjet që tregojnë policinë e Parisit duke rrahur një producent muzike me ngjyrë ishin të turpshme për Francën dhe se qeveria do të duhej të gjente një mënyrë për të rikthyer besimin e publikut tek policia.

Prokurorët po hetojnë arrestimin e dhunshëm të Michel Zecler, i cili tha se ai gjithashtu u abuzua për shkak të racës nga oficerët, pasi dolën pamjet e kamerave të sigurisë të incidentit. Edhe organi që mbikqyr policinë po bën hetime. Katër oficerë policie po mbaheshin për t’u marrë në pyetje si pjesë e hetimit, tha zyra e prokurorit të Parisit. Rrahja brenda hyrjes së një ndërtese u kap nga kamerat e sigurisë dhe telefona celularë dhe pamjet kanë qarkulluar gjerësisht në internet dhe kanë pushtuar mediat në të gjithë Evropën.

“Pamjet që kemi parë të gjithë të agresionit kundër Michel Zecler janë të papranueshme. Ato janë të turpshme për të gjithë ne. Franca nuk duhet të lejojë kurrë dhunë ose brutalitet, pa marrë parasysh se nga kush vjen. Franca kurrë nuk duhet të lejojë urrejtjen ose racizmin të zhvillohet”, tha zoti Macron në një deklaratë në faqen e tij në Facebook.

‘Respekto ligjin’
Ai shtoi se forca policore duhet të udhëheqë me shembullin e saj. “Ata që kanë për detyrë të zbatojnë ligjin duhet të respektojnë ligjin,” tha ai, duke shtuar se ai i kërkoi qeverisë të bëjë urgjentisht propozime rreth mënyrës së kthimit të besimit tek policia. Rrahja e Zeclerit rrezikon të ndezë tensionin racor, me akuzat për brutalitet të përsëritur të policisë kundër njerëzve me ngjyrë dhe bashkësive etnike që është në mendjen e shumë njerëzve pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në Mineapolis në maj.

Dominique Sopo, presidenti i grupit anti-racizëm SOS Racisme, i tha Reuters se zoti Zecler kishte qenë objekt i një “sulmi racist”. “Që oficerët e policisë të veprojnë në atë mënyrë, ata duhet të kenë një ndjesi të jashtëzakonshme mosndëshkimi. Kjo situatë është një simptomë e një mosndëshkimi që ka vazhduar për shumë kohë,” tha ai. Policia e Parisit u përball me kritika këtë javë pasi fotot dhe videot e mediave sociale treguan oficerë që godisnin protestuesit ndërsa pastronin një kamping të migrantëve të paligjshëm në një shesh qendror të Parisit.

Incidenti në studio
Producenti u tha gazetarëve se u fut në kurth nga policia në studion e tij në Paris të shtunën. Ai tha se kishte qenë duke ecur në rrugë pa maskë – gjë që është kundër protokolleve shëndetësore franceze për COVID-19 – dhe kur pa një makinë policie, hyri në studion e tij aty pranë për të mos gjobitur. Sidoqoftë, tha ai, policia e ndoqi brenda dhe filloi ta sulmonte dhe ta keqtrajtonte me tone racore.

Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin i tha televizionit France 2 të enjten se oficerët do të ndëshkoheshin nëse konfirmohet keqbërja nga ana e tyre. Arrestimi i zotit Zecler erdhi mes një debati të ashpër në Francë mbi legjislacionin që do të kufizonte aftësinë e gazetarëve për të dokumentuar sjelljen e oficerëve të policisë franceze në detyrë. Rreth 3,500 vetë marshuan kundër projektligjit në qytetin perëndimor të Nantës, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe bëri disa arrestime. Shumë pjesëmarrës protestuan gjithashtu kundër dhunës së policisë, disa me fytyra me fashuara në mbështetje të zotit Zecler. Një demonstratë e ngjashme është planifikuar në Paris të shtunën.

Zemërimi i që pasoi vdekjan e Floyd-it në SHBA në maj ka bërë jehonë në Francë, veçanërisht në periferitë e varfra të qytetit ku policia shpesh përplaset me të rinj me prejardhje të pakicave etnike. Protestat në Paris në qershor u përqendruan në rastet e pazgjidhura të personave që vdisnin gjatë operacioneve policore, të tilla si Adama Traore, i cili vdiq në paraburgim policor pranë Parisit në vitin 2016./VOA

Top Channel