Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj dhe kryetari i Krushës së Madhe, Selami Hoti kanë bërë përurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e muzeut, afër Kompleksit Memorial në Krushë të Madhe.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë ky projekt do të jetë dëshmi e asaj se çfarë ka ndodhur në Krushën e Madhe, dhe për brezat që jetojnë sot por edhe brezave të ardhshëm.

Latifi thotë se kjo vepër do të realizohet me cilësi të lartë, dhe posta të mblidhen artifaktet, por edhe dëshmitë e të mbijetuarve, qytetarët e Kosovës, por edhe ata të huaj të mund të mësojnë për heroizmin dhe rezistencën e madhe që kanë bërë banorët e Krushës, në luftën për liri.

“Po e vendosim gurëthemelin për një projekt, i cili do të jetë vepër e rëndësishme e kujtesës historike, një dëshmi e asaj se çfarë ka ndodhë në Krushë të Madhe… Bëhet fjalë për një projekt të rëndësisë së veçantë për brezat që jetojnë sot dhe për brezat që vijnë pas nesh…Një vepër e realizuar me cilësi të lartë e cila do t’iu shërbejë gjeneratave qe posa të mblidhen artefaktet dhe të gjitha dëshmitë e te mbijetuarve, por edhe dëshmitë që iu nevojiten qytetarëve të këtij vendi por edhe vizitorëve të huaj, të kenë çka të shohin këtu, por edhe të kenë çka të mësojnë këtu. Të mësojnë për heroizmin, të mësojnë për sakrificën, për gjakun, për rezistencën e madhe që ka bërë krushianët në luftën e gjatë për liri”, ka thënë Latifi.

Ndërsa, Kryetari i Krushës së Madhe, Selami Hoti ka thënë se kjo është ditë e veçantë dhe se do të punohet shumë që ky muze ta merr formën e duhur.

Ndërsa shton se nevoja për muze në këtë vend ishte e madhe, dhe se tani është detyrë e të gjitha institucioneve të Kosovës, por edhe atyre kombëtarë që historia të shkruhet siç duhet, nga historianët por edhe nga ata të cilët kanë përjetuar masakrën e Krushës së Madhe në luftën e fundit.

“Sot për Krushën është një ditë e veçantë, përveç se festave që i festojmë së bashku, do të punojmë të gjithë që edhe ky muze të merr formën ashtu siç kemi punuar së bashku me qëllimin që historia e Krushës të kthjellet, dhe gjithashtu edhe historia e tërë Kosovës. Nevoja për këtë muze ka qenë e madhe që nga paslufta, mirëpo për arsye dhe rrethana të ndryshme të cilat veçse jeni të njoftuar, ajo nuk ka ndodhë… andaj është detyrë e të gjitha institucioneve të Kosovës, por edhe mbarë kombëtare që historia të shkruhet ashtu siç duhet nga historianët, dhe të shkruhet nga ata që e kanë përjetuar masakrën e Krushës së Madhe në luftën e fundit…Një nga arsyet me të forta ka qenë… që rrëfimet e njerëzve duhet të tregohen, të regjistrohen dhe t’i tregojmë botës dhe gjeneratave për atë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë Hoti.

Ndërsa drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj ka thënë se Krusha ka arsye ta festojë 28 nëntorin sepse në këtë ditë edhe po fillojnë punimet e ndërtimit të muzeut, i cili do të shërbejë edhe për gjeneratat e ardhshme.

“Krusha sot ka arsye që të festoj festën e 28 nëntorit të cilën ua uroj përzemërsisht sepse në këtë ditë po fillon një punë, një ndërtim i një muzeu i cili do të shërbejë edhe për gjeneratat e ardhshme… ky muze është i vonuar, por çdoherë në vonesa ka diçka të mirë sepse po të ndërtohej para 5 ose 10 viteve do të ishte me i dobët apo më pak funksional. E ka edhe anën negative sepse sigurisht ndonjë dëshmi do të na mungoj sepse e ka marrë koha”, ka thënë Zogu.

Ndërtimi i këtij muzeu është bashkëfinancim i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale dhe komunës së Rahovecit, dhe pritet të përfundojë në qershor te vitit 2021, me rastin e ditës së çlirimit.

Top Channel