Greqia nuk gjen qetësi/ 101 viktima dhe mbi 2000 raste të reja në 24 orët e fundit

28/11/2020 01:59

Greqia regjistron përsëri mbi 100 të vdekur në ditë nga Covid-19 për herë të pestë brenda një jave. Me 101 viktimat e ditës së premte numri i personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi ka shkuar në 2102.

Gjithashtu mbetet ende shumë i lartë numri i të intubuarve, 607. Ndërsa përsëri numri i rasteve ditore të të prekurve ka qenë mbi 2000 duke e çuar në total numrin e të infektuarve në 101.287. Selaniku vazhdon të mbetet vatra më e nxehtë e infektimeve me 545 raste në ditë, i ndjekur nga Athina me 319, Larisa me 106 dhe Serresi me 93.

Sipas specialistëve të Shëndetsisë të infektuarit aktive në të gjithë vendin janë më shumë se 25000 vetë, ndërsa paralajmërojnë se gjendja e sistemit kombëtar të shëndetit është tepër kritike. Sipas autoriteteve shëndetsore në spitalet e Greqisë trajtohen në këto momente 4500 pacientë me koronavirus, 25% e tyre vetëm në spitalet e Selanikut, ku tashmë nuk gjen thuajse asnjë dhomë të terapisë intensive, ashtu si në Drame apo në Kavala.

Ndërsa në të gjithë vendin kapaciteti i dhomave të terapisë intensive ka shkuar në 88%, paralajmërohet se në ditët e ardhshme sistemi shëndetsor do të kete presion edhe më të madh pasi priten të shtrohen më shumë se 1600 pacientë dhe mbi 200 do kërkojnë repartet e reanimacionit. Barra epidemiologjike në një pjesë të vendit ka filluar shenja uljeje, por vala e dytë e koronavirusit nuk duket se po jep sinjale për tu larguar- ka deklaruar zv/ministr- i Mbrojtjes civile pasditen e së premtes.

Autoritetet qeveritare ende nuk shprehin shenja optimiste për hapjen e dyqaneve apo shkollave, duke thënë se është ende herët, ndërsa kryeministri grek Mitsotakis, në një lëvizje simbolike, viziton qytetin e Selanikut orët e ardhshme, për të mbështetur personelin mjekësor të qytetit që po vuan më tepër nga Covid-19.

Top Channel