Gjermania kalon pragun, mbi 1 milion infektime me Covid-19

28/11/2020 02:41

Të premten në Gjermani autoritetet shëndetësore njoftuan se numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus, që nga fillimi i pandemisë, ka kaluar në mbi një milion.

Instituti Robert Koch regjistroi më shumë se 22,000 raste të reja ditore. Gjermania kryesisht ka parandaluar përhapjen e virusit në pranverë, por është goditur rëndë nga një valë e dytë, gjatë vjeshtës.

Numri i pacientëve me COVID-19 në kujdesin intensiv, në fillim të tetorit ka qenë 360 ndërsa javën e kaluar ishte më shumë se 3.500.Shteti më i populluar i Rhine-Uestfalia Veriore ka regjistruar më shumë se një të katërtën e të gjitha rasteve me koronavirus. Berlini ka regjistruar 62.000 raste që nga fillimi i pandemisë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, këtë javë njoftoi se Gjermania do të zgjasë afatin e kufizimeve aktuale kundër koronavirusit, deri në fillim të janarit, nëse nuk ka një rënie dramatike të numrit të rasteve të reja.

Rregullat do të lehtësohen gjatë periudhës festive të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, duke lejuar takime deri në 10 persona nga 23 dhjetori deri në Ditën e Vitit të Ri. Ekonomia më e madhe e Evropës ka mbyllur restorantet, baret, ambientet sportive dhe vendet kulturore, megjithëse shkollat dhe dyqanet mbeten të hapura.

Top Channel