BE blen 2 miliardë doza, vaksina edhe për Ballkanin Perëndimor

28/11/2020 02:20

Bashkimi Evropian do të marrë rreth dy miliardë doza të vaksinës së koronavirusit, njoftoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Gjatë një bisede përmes videos me kancelarin austriak, Sebastian Kurz, ajo tha se kjo sasi e vaksinave mundëson vaksinimin e 700 milionë njerëzve, përfshirë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Ajo sqaroi se Austria do të marrë dy për qind të numrit të përgjithshëm të vaksinave të porositura nga BE-ja, duke vlerësuar se kjo sasi është më shumë sesa që Austria mund të ketë nevojë.

Von Der Leyen u shpreh se ndoshta vaksinat e para do të jenë në dispozicion në dhjetor. Komisioni Evropian nënshkroi kontratën e gjashtë për blerjen e vaksinave të koronavirusit më 25 nëntor. Kontrata u firmos me kompaninë Moderna. Javën e kaluar, ishte njoftuar mundësia që “para fundit të muajit të ardhshëm”, BE-ja të miratojë dy vaksina kundër koronavirusit, të cilat janë testuar nga kompanitë Pfizer-BioNTech dhe Moderna.

Von der Leyen më herët u ka bërë thirrje qytetarëve europianë që të vazhdojnë të respektojnë kufizimet. Vendet europiane janë goditur nga një valë e dytë e pandemisë, që ka shkaktuar rritje të numrit të të infektuarve, duke detyruar autoritetet të marrin masa të ashpra izolimi.

Top Channel