Numri më i lartë që prej fillimit të pandemisë, 27.543 raste të reja me COVID-19 në Rusi

27/11/2020 17:21

27.543 raste të reja me COVID-19 janë regjistruar në 24 orët e fundit në Rusi, shifra më e lartë e shënuar që nga fillimi i pandemisë.

Numri total i të prekurve ka shkuar në 2.215.533, ndërsa 496 persona ndërruan jetë suke e çuar numrin total në 38.558. Norma e rritjes ditore e numrit të rasteve në Rusi nga 1.2 është rritur në 1.3 për qind.

Në Rusi numri i të shëruarve është rritur në 1.712.174, përfshirë 26.682 pacientë të shëruar në 24 orët e fundit. Në Moskë në 24 orët e fundit janë regjistruar 7.918 raste të reja dhe 77 vdekje.

Vaksinimi masiv i vaksinës kandidate “EpiVakKorona” do të fillojë në vitin 2021.

Shërbimi i Mbrojtjes së Shëndetit të Njeriut dhe të Drejtave të Konsumatorit në Rusi njoftoi se në 24 orët e fundit janë kryer 543 mijë teste të COVID-19 ndërkohë numri i testeve të kryera deri më sot tejkalon shifrën 74.8 milionë.

Në deklaratë thuhet se vaksinimi masiv i vaksinës kandidate “EpiVakKorona” të zhvilluar nga Qendra e Hulumtimeve Vektor do të fillojë në vitin 2021.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu tha se janë vaksinuar mbi 2.500 ushtarë rusë. “Planifikohet të vaksinohen mbi 400 mijë ushtarë rusë”, tha ai.

Rastet e para me COVID-19 në Rusi u regjistruan më 31 janar ndërsa vdekja e parë më 19 mars. Dje në vend u regjistruan 25.487 raste dhe 524 jetë të humbura.

Në kuadër të masave të ndërmarra kundër COVID-19 në Rusi më 28 tetor hyri në fuqi vendosja e detyrueshme e maskave në hapësira publike, në mjetet e transportit publik, në taksi, në parkingun e automjeteve dhe në ashensorë. Në vend gjatë orës 23:00-06:00 janë ndaluar aktivitetet në vendet e argëtimit, restorante, bare dhe kafene.

Top Channel