Lufta e UÇK-së/ Institucionet arsimore e kulturore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut firmosin qëndrimin e përbashkët

27/11/2020 13:28

Institucionet e shkencës dhe të kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kanë dalë me një qëndrim të përbashkët mbi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas një njoftimi këto institucione kishin vendosur të organizonin sesionin shkencor me temën “Ushtria çlirimtare e Kosovës – vlerë kombëtare” më 25 Nëntor 2020, por për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi është zhvendosur në një periudhë të dytë, kur të normalizohet situata.

“Krahas evidentimit në rritje, me dokumente, fakte e dëshmi të së vërtetës: mbi ngjarjet e luftërat që shoqëruan shpërbërjen e pashmangshme të ish-Jugosllavisë; mbi rolin e përgjegjësitë e individëve, shteteve e forcave të ndryshme, për qartësimin e dallimin e forcave shkaktare e nxitëse të konfliktit e luftës nga ato të krijuara në kushtet e vetëmbrojtjes e mbijetesës kolektive, siç ishte dhe UÇK-ja, gjatë kësaj periudhe, nuk kanë reshtur përpjekjet nga qarqe e individë të caktuar për të përbaltur e deformuar të vërtetën historike”, thuhet në këtë deklaratë.

Deklaratë e përbashkët e institucioneve të shkencës dhe kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut për UÇK-në.

Si institucione përgjegjëse, me mandat të dhënë shprehimisht nga ligjet përkatëse, për të studiuar, ruajtur e administruar historinë e largët e të afërt të popullit tonë, si dhe kujtesën kolektive të materializuar në lëndën arkivore, në këtë përvjetor të 23-të të daljes publike të UÇK-së, shprehim vlerësimin për kontributin dhe rolin e pazëvendësueshëm te luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës e të qytetarëve të saj, në radhët e në mbështetje të UÇK-së, për fitimin e pavarësisë e si një reagim e mbrojtje e ligjshme ndaj gjenocidit serb, ndaj dëbimit, shpërnguljes e vrasjeve masive, me qëllim të spastrimit etnik të popullsisë shqiptare të Kosovës prej shtetit të Serbisë.

Krahas evidentimit në rritje, me dokumente, fakte e dëshmi të së vërtetës: mbi ngjarjet e luftërat që shoqëruan shpërbërjen e pashmangshme të ish-Jugosllavisë; mbi rolin e përgjegjësitë e individëve, shteteve e forcave të ndryshme, për qartësimin e dallimin e forcave shkaktare e nxitëse të konfliktit e luftës nga ato të krijuara në kushtet e vetëmbrojtjes e mbijetesës kolektive, siç ishte dhe UÇK-ja, gjatë kësaj periudhe, nuk kanë reshtur përpjekjet nga qarqe e individë të caktuar për të përbaltur e deformuar të vërtetën historike.

Nisur nga fakti se çdo deformim i rolit të UÇK-së, i misionit dhe qëllimit themelor të saj; çdo njollosje e kategorizim i UÇK-së si një ndërmarrje kriminale e jo si një ushtri popullore, vullnetare, çlirimtare e vetëmbrojtëse, përbën në vetvete një përpjekje për të njollosur jo individë të caktuar, por vetë vlerat kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës, si një popull liridashës e paqësor, si një popull viktimë e spastrimeve etnike e jo nxitës e promotor i politikave gjenocidiale, ne si përfaqësues të institucioneve tona, bazuar në studimet e dokumentet për atë periudhë, shprehim dhe një herë konsideratat tona, se:

1. Lufta çlirimtare dhe rezistenca e popullit të Kosovës, në periudhën 1998-99, përbën një nga vlerat më kulmore dhe më me ndikim në të ardhmen e popullit të Kosovës, si pjesë e pandashme me të drejta të barabarta të familjes evropiane. Në luftën e saj (të UÇK-së) u mishërua rezistenca kundër shtypjes e robërisë njëshekullore dhe morën vlerë sakrificat e brezave të tërë për liri kombëtare, barazi e drejtësi sociale, të kombit të tretë, për nga numri, në ish-Jugosllavi;

2. Lufta çlirimtare, e udhëhequr nga UÇK-ja, në thelbin e saj programor, kishte shpëtimin e qenies etnike shqiptare nga shfarosja, mbrojtjen e ndaljen e krimeve ndaj shqiptarëve dhe jo ushtrimin e tyre ndaj të tjerëve. Përdorimi i armëve ishte mjeti i fundit i imponuar nga rrethanat, pasi UÇK-ja, në çdo kohë, ka qenë e gatshme për të përqafuar zgjidhjet diplomatike e paqësore, çka e dëshmojnë faktet e mirënjohura historike: firmosja e Marrëveshjes së Rambujesë nga ana e përfaqësuesve të saj për zgjidhjen paqësore të krizës, e ofruar nga faktori ndërkombëtar; çarmatosja e menjëhershme e pa rezistencë e UÇK-së me hyrjen e forcave të NATO-së e atyre paqeruajtëse si dhe pranimi, ushtrimi e respektimi i zgjedhjeve të lira e demokratike, nga tërë forcat politike, në Kosovën e çliruar;

3. UÇK-ja dhe lufta e popullit të Kosovës, si një luftë e drejtë, pati një jehonë e mbështetje të gjerë ndërkombëtare të opinionit publik e institucioneve të ndryshme. Kjo luftë u mbështet drejtpërdrejt nga shtetet e organizmat perëndimorë demokratikë, e shprehur me ndërhyrjen e forcave të NATO-s për goditjen e makinerisë ushtarake të Milosheviqit, për çlirimin e Kosovës dhe për garantimin e një qeverisjeje demokratike, nën kujdesin e misionit ndërkombëtar – UNMIK;

4. Tërë zhvillimet në ish-Jugosllavinë e tretë dhe në Kosovë, veçanërisht në periudhën e konflikteve të armatosura, kanë qenë nën përcjelljen dhe monitorim e gjithanshëm të institucioneve ndërkombëtare. Në bazë të konstatimeve dhe gjetjeve të tyre përcaktoheshin dhe politikat, qëndrimet e përkrahjet ose jo të forcave të caktuara; e prej tyre nuk është venë në dyshim, asnjëherë në atë kohë, karakteri i luftës së UÇK-së e, sidomos, qëndrimi politik i saj ndaj pakicave kombëtare;

5. Mbështetjen ndaj luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, të së drejtës së tij për liri e pavarësi e shpreh dhe fakti i njohjes së pavarësisë së Kosovës prej 112 shtetesh, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën dërrmuese të vendeve anëtare te Bashkimit Evropian, si dhe anëtarësimi i saj në shumë institucione ndërkombëtare. Legjitimiteti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës është pranuar dhe vlerësuar si i tillë dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë që është segment i OKB-së;

6. Gjatë gjithë kësaj periudhe, asnjë gjykatë, përfshirë dhe Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë, që ishte gjykata më e specializuar e më e lartë ndërkombëtare për krime lufte, ashtu dhe as ato lokale, nuk kanë vërtetuar kryerjen e krimeve të luftës e kundër njerëzimit, në mënyrë sistematike a masive nga ana e UÇK-së si formacion a nga drejtues e segmente drejtuese të saj. Në mbyllje të veprimtarisë së Gjykatës së Hagës, UÇK-ja, si formacion, dhe zinxhiri drejtues i saj kanë dal, ashtu siç janë vlerësuar e mbështetur nga institucionet e opinioni i shëndoshë ndërkombëtar gjatë gjithë periudhës së luftës në Kosovë, si një forcë çlirimtare që drejtoi luftën dhe rezistencën popullore për liri e pavarësi me përkrahjen e NATO-s dhe shteteve e institucioneve demokratike.

Në mospajtim me gjithë sa më sipër flasin zhvillimet e fundit, të lidhura me rolin, misionin e qëllimin e krijimit të Dhomave të Specializuara dhe ngritjen e formulimin e aktakuzave të fundit ndaj themeluesve dhe ish-drejtuesve të UÇK-së. Çdo koment e qëndrim ndaj tyre, i shprehur në këtë Deklaratë, nuk lidhet me cenimin e parimeve të gjithëpranuara se gjykatat janë të pavarura e çdo krim duhet ndëshkuar pavarësisht nga autori, nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor, aq më tepër krimet e luftës e ato kundër njerëzimit.

Këto parime tashmë jo vetëm i ka njohur, por edhe respektuar, gjithë komuniteti shqiptar, në Kosovë e jashtë saj, njëherësh edhe forcat politike, institucionet e Kosovës, UÇK-ja dhe ish-drejtuesit e saj, të cilët kanë bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi dhe tërë të akuzuarit kanë pranuar pa pengesë gjykimin si qytetarë të thjeshtë, pa asnjë imunitet e mbrojtje politike.
Dhomat e Specializuara janë një precedent historik; ato janë imponuar me vendim politik të Këshillit të Evropës, bazuar mbi një aktakuzë publike, gjithashtu politike. Si të tilla, gjithkush ka të drejtën të shprehë vlerësimet e mospajtimet për gjithçka që lidhet me reflektimin e këtyre akuzave dhe qëllimeve politike gjatë ngritjes së Dhomave të Specializuara dhe në veprimtarinë e mëtejshme të saj, pasi kjo vë në dyshim e komprometon paanësinë e besimin për një gjykim te drejtë e të pandikuar.

Këto Dhoma u imponuan nga vendimi i sipërpërmendur, bazuar mbi një akuzë konkrete politike e të pavërtetë, të hartuar nga një politikan, sipas të cilit ,,struktura të UÇK-së kanë kryer trafik të organeve të qenieve njerëzore me robërit e luftës”. Ishte kjo akuzë e re e monstruoze, që legjitimoi politikisht shkeljen e parimit të mos gjykimit të gjësë së gjykuar, madje nga një gjykatë në hierarki më të ulët se gjykata a mëparshme që ishte Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, një rast ky i paprecedentë në të drejtën ndërkombëtare e në praktikën e çdo shteti demokratik. Ishte nevoja ekstreme për pastrimin nga kjo akuzë, jo të individëve të akuzuar, por të vetë luftës së popullit të Kosovës e të faktorëve ndërkombëtarë që e përkrahën atë luftë, që rezultoi me një fakt që rrallë herë mund të ketë ndodhur ku vetë subjektet e akuzuar të ngrenë, me votën e ndikimin e tyre politik, një gjykatë për ndëshkimin e krimeve të veta!

Mungesa në aktakuzat e reja e kësaj vepre kriminale (trafikut të organeve të qenieve njerëzore), vë në pikëpyetje legjitimitetin e mëtejshëm të vetë Dhomave e të proceseve speciale të nisura ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Gjithashtu, përcaktime e trajtime të tilla në aktakuzë, të bartura nga raporti politik i DickMarty-t, si: kategorizimi ndërmarrje kriminale; përzierja e krimeve të luftës me ato të pasluftës e të krimeve të supozuara ndëretnike me ato ndërpartiake; motivimi i krimeve të caktuara për arsye përkatësie fetare jep shkas për politizimin e këtij procesi, duke u keqpërdorur nga qarqe të mirënjohura që akuzat individuale për krime individuale t’i kthejnë në akuza ndaj UÇK-së si formacion dhe ndaj vetë karakterit të luftës e të rezistencës për çlirim të popullit shqiptar të Kosovës, që të vendosin në një balancë krimet shtetërore të Serbisë me krimet e veçanta, kryer në tejkalim të së drejtës për vetëmbrojtje e asaj ndërkombëtare nga anëtarë të UÇK-së a qytetarë të Kosovës, që të nxisin urrejtje e konflikte ndërfetare apo t’i japin luftës çlirimtare të popullit shqiptar ngjyrime të një konflikti civil.

Të gjitha këto nuk përputhen me të vërtetat historike, të tashme e të asaj kohe. UÇK-ja, si forca kryesore e luftës dhe rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës, është vlerësuar e do të vlerësohet si një reagim legjitim i një populli për të mbijetuar ndaj spastrimit etnik shekullor dhe masakrave e shpërnguljes biblike, të kryer tashmë në shekullin e 20; një forcë që me përkrahjen e NATO-së dhe forcave demokratike çoi në çlirimin e pavarësimin e Kosovës dhe vendosjen e një rendi demokratik, të bazuar mbi bashkëjetesën ndëretnike.

Vlerësimi do të jetë i tillë, pasi përcaktimin e karakterin e ngjarjeve të mëdha historike nuk e bëjnë gjykatat, por vetë historia dhe e vërteta, të mbartura e të bazuara në dëshmitë dhe kujtesën publike e institucionale.
Duke shprehur edhe një herë konsideratën e mirënjohjen tonë për luftën e popullit të Kosovës, të UÇK-së e ish-drejtuesve te saj, në këtë përvjetor të 23-të, shprehim bindjen se e vërteta dhe e drejta do të jenë në themel të vendimeve për proceset e nisura.

Nënshkruar në emër të institucioneve përfaqësuese:

Akad. Skënder Gjinushi, Kryetar
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë – Tiranë;

Dr. Hysen Matoshi, Drejtor
Instituti Albanologjik i Prishtinës – Prishtinë;

Dr. Sabit Syla, Drejtor
Instituti i Historisë ”AliHadri” – Prishtinë;

Dr. Ardit Bido
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë – Tiranë;

Dr. Skënder Asani, Drejtor
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup;

Dr. Dorian Koçi, Drejtor
Muzeu Kombëtar i Shqipërisë – Tiranë;

Z. Ajet Leci, Drejtor
Muzeu Kombëtar i Kosovës – Prishtinë;

Mr. sc Bedri Zyberaj, Drejtor
Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës – Prishtinë;

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA