Irani zotohet për hakmarrje ndaj Izraelit pas atentatit ndaj krye-shkencëtarit bërthamor

27/11/2020 20:51

Irani është zotuar sot për hakmarrje pas vrasjes në atentat të kreut të programit bërthamor të vendit në një autostradë pranë Teheranit, në një përshkallëzim madhor tensionesh që po afrojnë akoma më shumë luftën ne Lindjen e Mesme.

Mohsen Fakhrizadeh u vra në një pritë me eksplozivë dhe armë zjarri në qytezën Absard, 70km në lindje të Teheran, ku gjithashtu u plagosën rojet e tij dhe anëtarë të familjes.

Në Iran ngjarja është konsideruar po aq e rëndë sa dhe vrasja nga SHBA e kreut të Gardës Revolucionare, Qassem Soleimani në janar.

Ministri i jashtëm Mohammad Javad Zarif, tha se akti është kryer “me shumë gjasa” nga Izraeli. “Ne do të godasim si rrufeja vrasësit e martirit dhe do t’i bëjmë të pendohen për veprimin e tyre”, komentoi Hossein Dehghan, këshilltar i liderit suprem Ajatollah Kamenei.

Shumë burime kanë përmendur se në javët e fundit të adminsitratës Trump, Izraeli po përpiqet të provokojë Iranin me shpresën të zhdukë çdo shans të afrimit të administratës së re demokrate të SHBA, me Teheranin.

Amos Yadlin, ish-kreu i inteligjencës ushtarake izraelite tha: “Me kohën e mbetur të adminsitratës Trump, lëvizje të tilla do të sillnin reagime të dhunshme nga Irani, duke krijuar një pretekst për sulme nga SHBA mbi objektet bërthamore iraniane”.

Ministria e mbrojtjes së Iranit konfirmoi vdekjen e Fakhrizadeh.

“Gjatë përplasjeve mes grupit të sigurisë dhe terroristëve, Mohsen Fakhrizadeh u plagos rëndë dhe u dërgua në spital, por mjekët nuk arritën ta mbanin në jetë. Pas disa vitesh përpjekjeje ai arriti një gradë të lartë martirizimi”.

Ministri i jashtëm Zarif i bëri thirrje vendeve evropiane të distancoheshin nga ato që besonte si veprime të Izraelit.

“Terroristët vranë sot një shkencëtar të njohur iranian. Kjo pabesi me sinjale të forta të përfshirjes izraelite, tregon sesa të dëshpëruar për luftë janë autorët. Irani i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Evropës të refuzojë qëndrimet e dyfishta dhe të dënojë këtë akt terrori shtetëror”.

Top Channel