Iran, vritet shkencëtari i lidhur me programin ushtarak bërthamor

27/11/2020 18:45

Shkencëtari i njohur bërthamor i Iranit, Mohsen Fakhrizadeh vdiq në spital pas një atentati të premten, pranë Teheranit njoftuan mediat iraniane.

Fakhrizadeh dyshohej prej kohësh nga vendet perëndimore dhe Izraeli si dhe nga kundërshtarët në mërgim të Republikës Islamike si organizatori i asaj që ata e quajnë një program i fshehtë i bombës bërthamore, i cili u pezullua në vitin 2003. Irani prej kohësh e mohon se përpiqet të prodhojë armë bërthamore.

Vrasja rrezikon të rrisë më tej tensionet në Lindjen e Mesme, pasi jo më larg se një vit më parë Irani dhe SHBA u ndodhën në prag të luftës. Ngjarja ndodh ndërkohë që Presidenti i zgjedhur Joe Biden pritet të inaugurohet në janar dhe ka të ngjarë të komplikojë përpjekjet e tij për ta kthyer Amerikën në marrëveshjen bërthamore për Iranin.

Një këshilltar ushtarak i udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei akuzoi Izraelin për vrasjen dhe tha se kjo ishte një përpjekje për të provokuar luftë. Ai u zotua për hakmarrje ndaj personave që kryen atentatin.

Sipas medias shtetërore, makina ku ndodhej Fakhrizadeh u qëllua nga persona të armatosur dhe ai vdiq nga plagët në spital.

Ministri i jashtëm iranian Javad Zarif e quajti vrasjen një akt terrori shtetëror dhe la të kuptohet se në të kishte rol Izraeli, por nuk ofroi prova.

Fakhrizadeh mendohet të ketë kryesuar atë që agjencia bërthamore e OKB-së (IAEA) dhe shërbimet e inteligjencës amerikane besojnë se ishte një program i koordinuar për armët bërthamore në Iran, i pezulluar në vitin 2003.

Në një raport të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore në vitin 2015 thuhej se Fakhrizadeh mbikëqyri aktivitetet “në mbështetje të një dimensioni të mundshëm ushtarak të programit bërthamor (të Iranit)” brenda të ashtuquajturit Plani AMAD.

Edhe Izraeli e ka përshkruar Planin AMAD si program sekret të armëve bërthamore të Iranit dhe njoftoi se kishte kapur një pjesë të madhe të një “arkivi” bërthamor iranian ku flitej në hollësi për këtë plan.

“Mos e harroni këtë emër, Fakhrizadeh”, tha Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një fjalim të vitit 2018, ku zbuloi detaje nga arkivi dhe ku përmendi Fakhrizadehun si shef të AMAD-it.

Netanyahu tha se pas pezullimit të AMAD-it, Fakhrizadeh vazhdoi punën për “projekte speciale” në një organizatë brenda Ministrisë iraniane të Mbrojtjes.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Por mediat iraniane vunë në dukje interesin që zoti Netanyahu kishte treguar për shkencëtarin./VOA/

Top Channel