Greqia shtyn izolimin/ Masat kufizuese deri në 7 dhjetor, alarm për rastet e reja dhe viktimat

27/11/2020 01:13

Në mbi 2000 ka mbërritur numri i viktimave në Greqi nga Covid-19, pas 99 personave që kanë humbur jetën në 24 orët e fundit. Gjendja alarmante vazhdon edhe sa i përket numrit të të intubuarve që ka shkuar në 608, ndërkohë që shtatë zona të vendit konsiderohen si “të kuqe” pasi kanë një barrë të lartë epidemiologjike.

Vetëm në 5 ditët e fundit në këto zona mes të cilave Selaniku, Serresi, Larisa dhe Magnezia konstatohen mbi 42% e të prekurve me koronavirus, ndaj dhe qeveria ka vendosur shtyrrjen e mbylljes së përgjithshme të vendit edhe për disa ditë të tjera.

‘Aktualisht, masat ekzistuese kufizuese për mbrojtjen kundër koronavirusit do të shtyhen deri të hënën, datë 7 dhjetor 2020 në orën 6 të mëngjesit. Ky vendim është i domosdoshëm pasi barra epidemiologjike është akoma e lartë’- tha Petsas, zëdhënës i qeverisë.

Gjatë ditës së enjte edhe numri i të prekurve ka qenë përsëri në mbi 2000 vetë duke e çuar në total prej fillimit të pandemisë shifrën e rasteve me Covid-19 në gati 100.000 persona.

Për herë të parë gjatë ditës së enjte janë kryer transportime ajrore te të paktën tre pacientëve që duhet të intuboheshin, nga spitalet e Selanikut dhe qyteteve të tjera të Greqisë së Veriut ku ka mungesë të dhomave të intubimit pasi janë plot me pacientë, drejt spitaleve të tjera të vendit.

Ndërkohë në 24 orët e fundit sindikata e administratës publike, ADEDY, ka kryer një grevë njëditore kombëtare duke kërkuar, ndër të tjera, masa thelbësore për të mbrojtur shëndetin e të punësuarve në sektorin publik, punësime masive në sektorin e shëndetsisë e transportit si dhe rritjen e pagave për nëpunësit civilë.

Top Channel