Afganistani, vendi më i dëmtuar në botë nga terrorizmi

27/11/2020 17:35
Afganistan

Afganistani ka qenë vendi më i prekur nga sulmet terroriste në botë në vitin 2019.

Instituti për Ekonomi dhe Paqe (IEP) me seli në Australi, ka publikuar “Indeksin Global të Terrorizmit 2020”. Raporti mbi indeksin ka shqyrtuar incidentet terroriste që kanë ndodhur në 163 vende gjatë gjithë vitit.

Sipas raportit, Afganistani renditet si vendi i parë më i dëmtuar nga terrorizmi në vitin 2019, njëlloj sikurse në vitin 2018.

Sipas Anadoly Agency, vitin e kaluar, gjithsej 13.826 njerëz kanë humbur jetën në sulmet terroriste në gjithë botën, ndërsa 41 për qind e kësaj shifre, konkretisht 5.725 njerëz, kanë vdekur nga sulmet terroriste në Afganistan, ku po ashtu 6.221 njerëz janë plagosur si pasojë e këtyre sulmeve.

Raporti tregon shtatë nga 20 incidentet më vdekjeprurëse terroriste në vitin 2019 kanë ndodhur në Afganistan. Pesë nga këto sulme, në të cilat 493 njerëz humbën jetën, janë kryer nga talebanët dhe dy nga organizata terroriste DAESH.

Raporti e ka përshkruar organizatën talebane si “organizata terroriste më vdekjeprurëse në botë”.

Vitin e kaluar, sipas statistikave, 87 për qind e viktimave të sulmeve terroriste në Afganistan (4.990 persona) kanë vdekur në sulmet e talebanëve.

Talebanët kanë sulmuar forcat afgane të sigurisë 508 herë në vitin 2019 dhe më shumë se 2.900 njerëz kanë humbur jetën në këto sulme.

DAESH, organizata terroriste më aktive në vend pas talebanëve, tentoi 55 sulme vitin e kaluar, duke shkaktuar 320 vdekje.

Gjersa nuk është ende e qartë nëse bisedimet e paqes në Afganistan do të kenë ndikim të rëndësishëm në aktivitetet terroriste, raporti vë në dukje se prodhimi i brendshëm bruto i vendit ka pësuar humbje 16,7 për qind për shkak të sulmeve terroriste.

Sipas indeksit, dhjetë vendet më të prekura nga terrorizmi në gjithë botën janë Afganistani, Iraku, Nigeria, Siria, Somalia, Jemeni, Pakistani, India, Republika Demokratike e Kongos dhe Filipinet.

Ndërkaq, Turqia radhitet e 18-ta në botë, SHBA e 29-ta dhe Britania e 30-ta. Turqia tregohet si vendi më i prekur në kontinentin evropian nga sulmet terroriste.

Top Channel