Tërmeti tragjik/ Kuvendi mban një minutë heshtje për viktimat e 26 nëntorit

26/11/2020 10:30

Ka nisur me një minutë heshtje seanca e sotme plenare në Kuvend, me kërkesë të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi në nder të viktimave të tërmetit tragjik.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi në fjalën e mbajtur inkurajoi qeverinë që të realizojë objektivat e Rindërtimit.

FJALA E GRAMOZ RUÇIT

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Si sot, një vit më parë, Shqipëria u godit nga tërmeti më i fuqishëm i dyzetë viteve të fundit.

Durrësi, Thumana, Tirana, Laçi Lezha ishin zonat më të goditura.

51 jetë njerëzore u humbën dhe mbi tre mijë njerëz u plagosën. Disa mijra familje mbetën të pastreha.

Në shenjë dhimbjeje e respekti për 51 qytetarët që humbën jetën nga tërmeti, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.

Pushofshin në paqe!

Të nderuar kolegë,

Tërmetit të 26 nëntorit, kësaj goditjeje natyrore iu kundërpërgjigj  një solidaritet i fuqishëm  njerëzor. Qindra mijra qytetarë kontribuan me sa mundën për të lehtësuar barrën e përballimit të pasojave të tërmetit.

Sfida e qytetarëve po mund sfidën e natyrës. Përgjigja e Qeverisë e institucioneve edhe solidariteti i qytetarëve shqiptarë inspiruan mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare.

Konferenca e donatorëve e shkurtit 2020, me moton “Bashkë për Shqipërinë”, mobilizoi  për rindërtimin një ndihmë jashtë çdo parashikimi: 1.15 miliardë Euro, prej të cilave 300 milion dhuratë.

Përpjekjet tona për rikthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre të rindërtuara apo të reja, nuk u  ndalën, nga pandemia e Covid-19, e cila shpërtheu në kulmin e rindërtimit. Kuvendi inkurajon punën e Qeverisë për realizimin e objektivave të rindërtimit edhe në kushtet e kostove që imponoi pandemia.

Fuqia, shpresa dhe besimi janë më të mëdha se goditja e tërmetit e ankthi prej pandemisë. Solidariteti e dashuria  njerëzore prodhojnë rezultate më të mira se ndarja e konfliktet.

Ju faleminderit.

Top Channel