SHBA/ Rriten përsëri kërkesat për kompensim papunësie

26/11/2020 03:46

Kërkesat për ndihmën sociale për papunësinë në Shtetet e Bashkuara, u rritën javën e kaluar për të dytën javë me radhë, njoftoi të mërkurën Departamenti i Punës.

Me rritjen e fundit të rasteve e koronavirusit që paraqet një kërcënim të ri për ekonominë më të madhe në botë, një numër i përgjithshëm prej 778’000 personash të papunë paraqitën kërkesa të reja për kompensimin e papunësisë, më shumë se 30’000 nga shifra e një jave më parë. Ishte java e gjashtë radhazi, që kjo shifër binte nën 800’000 vetë, por mbeti mbi shifrën më të lartë para-pandemike në të dhënat që datojnë që nga vitet 1960. Ishte gjithashtu hera e parë që nga korriku që kërkesat ishin rritur në javë të njëpasnjëshme. Një total prej 6.1 milion punëtorë mbeten të papunë, çka do të thotë një nivel prej 4.1 për qind për javën e dytë në nëntor, tha Departamenti i Punës.

Shkalla e papunësisë ka shënuar një përmirësim të dukshëm nga niveli më i ulët gjatë pandemisë – një nivel 14.7% në prill. Por me më shumë se një milion raste të reja të koronavirusit që janë regjistruar në Shtetet e Bashkuara çdo dy javët e fundit, guvernatorët e shteteve dhe zyrtarët lokalë kanë vendosur kufizime të reja në aktivitetin e biznesit, pasi hoqën masa të ngjashme muaj më parë, pasi virusi dukej se po zbutej.

Kufizimet e reja mund të sinjalizojnë edhe më shumë papunësi mes amerikanëve ndërsa dyqanet shkurtojnë numrin e orëve, restorantet mbyllen dhe qendrat e argëtimit dhe artit anulojnë shfaqjet. Afrimi i motit më të ftohtë të dimrit në Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të thotë se është më pak e mundur që njerëzit të mblidhen në ambjentet e jashtme.

Zyrtarë të shumtë të shëndetësisë po u kërkojnë amerikanëve të qëndrojnë në shtëpi këtë javë përpara festës vjetore të Falenderimeve të së enjtes, normalisht një kohë kur miliona njerëz udhëtojnë në distanca të gjata për të vizituar të afërmit. Shumë njerëz po i dëgjojnë këto këshilla, por miliona të tjerë jo, duke mbushur aeroportet në të gjithë vendin. Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka bërë thirrje për miratimin e një pakete të re lehtësuese të koronavirusit deri në fund të vitit, tre javë para se të inaugurohet në 20 Janar. Një masë e tillë mund të përfshijë një raund të ri prej 1’200 dollarësh për shumicën e amerikanëve dhe rivendosjen e disa ndihmave federale për papunësinë, përveç ndihmës më të vogël që japin shtetet.

Por fati i një legjislacioni të tillë është i pasigurt në rastin më të mirë dhe mund të mos ndodhë para se zoti Biden të marrë detyrën. Ligjvënësit demokratë dhe republikanë kanë qëndrime të kundërta mbi përmasat e ndihmës dhe se kush saktësisht duhet të përfitojë. Demokratët duan ndihmë të gjerë për shtetet dhe qeveritë lokale, republikanët më pak. Departamenti i Tregtisë i vendit njoftoi një muaj më parë se ekonomia amerikane u rrit me një normë vjetore prej 33.1% nga korriku në shtator dhe konfirmoi shifrën të mërkurën. Ekonomia e Shteteve të Bashkuara ishte tkurrur 31.4% në periudhën prill-qershor, kur vala e parë e pandemisë së koronavirusit përfshiu vendin. Por analistët besojnë se rritja ekonomike amerikane do të jetë më e ngadaltë në tre muajt e fundit të vitit, veçanërisht nëse kufizimet e biznesit rriten ndjeshëm, siç janë kufizimet e reja në ambjentet e mbyllura të restoranteve. Zyrtarët qeveritarë kanë hezituar të kufizojnë aktivitetin e biznesit në përmasat e periudhës mars-qershor. Por ndërsa virusi përhapet, disa guvernatorë të shteteve që nuk pranuan të vendosnin kufizime të mëparshme tani po urdhërojnë kufizime.

Përveç kësaj, disa konsumatorë janë shmangur nga blerjet në dyqane ose ngrënia në restorante dhe shumë aktivitete argëtuese janë anuluar për muaj me radhë, duke kontribuar në nivelin e papunësisë./VOA

Top Channel