Lufta për pushtet/ Kush kërkon vendin e Merkel-it

26/11/2020 11:29

Kryeministri i Renanisë-Veriore-Vestfalisë, Armin Laschet i CDU-së pretendon edhe kandidaturën për kancelar të Gjermanisë, po të zgjidhet kryetar i partisë së Angela Merkelit në janar.

Lascheti e përjashton mundësinë që të heqë dorë nga kandidatura në favor të Ministrit të Shëndetësisë Jens Spahn. Deklaratat e fundit në lidhje me kandidaturën për kancelar Laschet i bëri gjatë xhirimeve të filmit dokumentar “Ballafaqimi. Markus Feldenkirchen takon Armin Laschet” që do të transmetohet këtë të enjte. Kandidati për kryetar të ri të CDU-së reagoi në këtë mënyrë ndaj popullaritetit në rritje të Spahn mes pandemisë së koronavirusit  dhe pakënaqësisë në CDU me tre kandidatët e deritashëm për kryesinë e partisë.

Në shumë sondazhe, Jens Spahn tani është përpara kryeministrit të  Renanisë-Veriore-Vestfalisë. Kur u pyet pse po kandidon jo vetëm për kryesinë e partisë, por edhe për të pasuar Angela Merkel-in, Lascheti tha se ishte i shqetësuar për një ndarje të thellë në vend pas pandemisë.

“Ju tashmë mund të shihni agresionin në shoqëri. Do të jetë detyrë kryesore të mbajmë vendin tonë së bashku kur Angela Merkel të mos jetë më kancelare”, u shpreh ai.

Sondazhet nuk e shqetësojnë.

“Unë kam parë kaq shumë figura që ndriçonin fort “, tha Laschet, duke përmendur ish-kandidatin e SPD-së për kancelar, Martin Schulz dhe paraardhësen e tij në krye të landit, Hannelore Kraft, si shembuj të popullaritetit të lartë, por që prej tyre pas tre muajsh, siç tha nuk kishte mbetur më asgjë”.

Top Channel