Lot e emocione teksa deputeti i parë afrikan i Zelandës së Re tregon arratisjen nga Eritrea

26/11/2020 17:11

Politikanët e Zelandës së Re u rreshtuan sot për të përqafuar të emocionuar Ibrahim Omer, pas fjalimit të tij të parë në parlamentin e Zelandës së Re, ku tregoi mes të tjerash për udhëtimit e rrezikshëm për një jetë më të mirë.

Deputeti i parë afrikan i vendit përloti politikanët duke treguar për “rrugëtimin e tij të shpresës” nga Eritrea e shkatërruar prej luftës, drejt një kampi refugjatësh në Sudan, teksa sot prezantohej si deputeti i pare me origjine afrikane, laburist i Zelandës së Re.

“Unë jam nga Eritrea. Jam ish-refugjat, jam musliman. Jam një sindikalist dhe një mbrojtës i minimumit të jetesës, por më e rëndësishmja është se vij këtu sot i mbushur me krenari,” tha Ibrahim Omer në fjalimin e tij të parë pas fitores së zgjedhjeve në tetor.

Ai është në fakt ish-refugjati i dytë që bëhet deputet në Zelandën e re, pas deputetit të Partisë s Gjelbër, Golriz Gharaman, i larguar që fëmijë nga Irani.

Fjalimi i Omer erdhi pas atij të hapjes nga kryeministrja Jacinda Ardern ku konfirmoi zotimet elektorale për përkushtimin ndaj klimës, krizës së strehimit në vend, menaxhimit të Covid-19, dhe varfërisë së të miturve.

Ndërsa Omer kujtonte femijërinë e tij fillimisht të lumtur, teksa më pas diktatura vrau ëndërrat atij dhe të bashkëkombasve. “Kam parë sesi politika ka shkatërruar jetë. Thuajse e gjithë jeta ime në Eritrea ishte luftë”, tha mes të tjerash Omer.

Ai kujtonte sesi kur erdhi fillimisht në Zelandën e Re punonte si vjelës frutash, roje sigurie apo pastrues, duke kursyer ato që mund të fitonte me rrogën minimale, për të dërguar te familja e tij në Eritrea.

Jeta e Omer ndryshoi kur një sindikalist i kërkoi të jepte një fjalim për rrogën minimale në Uelington, nga ku nisi karriera e tij publike.

FOTO GALERI
1/4
Ibrahim Omer ne fjalimin e parë në parlamentin e Zelandës së Re tregoi mes të tjerash për udhëtimit e rrezikshëm për një jetë më të mirë.

Top Channel