Lajcak në krah të Vucic-it/ Qortime Kosovës se i ndaloi hyrjen

26/11/2020 14:47

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pohoi se i ka mbërritur një letër nga i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak, në të cilën i kërkohet që Kosova të respektojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë të arritur në Bruksel.

Letra e Lajçakut vjen disa ditë pasi ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla njoftoi se i kishte ndaluar hyrjen presidentit serb, Aleksandar Vucic.

“Kosova është pro lëvizjes së lirë dhe po punojmë në kuadër të dialogut që të përmbyllin gjitha çështjet e hapura me Serbinë. Unë kam marrë një letër  nga Lajcak dhe jam në komunikim të rregullt me të, por çdo kërkesë për vizitë do të trajtohet në kontekst të ndjeshmërisë së situatës nëpër të cilën po kalojmë”, u shpreh Hoti.

I pyetur në lidhje me deklaratën e ministres së Jashtme, Haradinaj-Stublla se presidentit serb dhe zyrtarëve tjerë nuk do t’u lejohet hyrja në Kosovë derisa të kërkojnë falje “për gjenocidin”, Hoti tha se qëndrimet zyrtare të qeverisë i paraqet vetëm ai, pas konsultimit me ministrat. Vucic tha në 25 nëntor se autoritetet në Prishtinë ia ndaluan vizitën në Kosovë për ta bërë “ të madhe situatën”.

“Ata donin të dërgonin ministren e Punëve të Jashtme, e cila donte ta bënte një shfaqje politike në komunën e Rashkës. Ne u thamë  kjo ishte absolutisht e papërshtatshme për momentin. Meqenëse na dërguan një letër, ne u dërguam atyre një letër. Nuk kemi asgjë për të fshehur”, tha Vucic.

Top Channel