IKD: Mungesë e dënimeve plotësuese në luftën e sistemit të drejtësisë kundër kriminalitetit

26/11/2020 09:56

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, publikon raportin “Mungesa e dënimeve plotësuese në luftimin e kriminalitetit”.

Sipas gjetjeve të IKD-së sistemi kosovar i drejtësisë paraqet një lloj injorimi të dënimeve plotësuese në luftën kundër kriminalitetit. Përkatësisht sipas këtij raporti është gjetur se sistemi i drejtësisë nuk i qaset luftimit të kriminalitetit përmes dënimeve plotësuese, si dënime veçanërisht të rëndësishme për arritjen e qëllimeve të dënimit dhe individualizimit të dënimit.

Ky raport është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejt të sistemit të drejtësisë dhe analizimit një për një të 116 aktakuzave të Prokurorit të Shtetit dhe 116 aktgjykimeve dënuese të gjykatave të Republikës së Kosovës.

Nëpërmjet një komunikate nga IKD tregohet se dënimet plotësuese shtrijnë një efekt të gjerë në arritjen e qëllimit të dënimit, sidomos në parandalimin më efektiv të kryerësit e veprave penale nga kryerja e veprave penale në të ardhmen.

“Si përparësi e posaçme e dënimeve plotësuese në të drejtën penale, konsiderohet edhe fakti se me këto lloje të dënimeve gjykatave u bëhet e mundshme individualizimi më adekuat i sanksioneve penale dhe ofrojnë mundësi më të madhe për risocializimin e kryesit të veprës penale. Në këtë mënyrë, ideja e dënimeve plotësuese është që në njëfarë forme, të mbushë hapësirat që dënimet kryesore lënë në arritjen e qëllimit të dënimit. Kodi Nr.06/L-074 Penal i Republikës së Kosovës ka sanksionuar gjithsej tetë (8) dënime plotësuese”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

Po ashtu thuhet se nga 116 aktakuza të Prokurorit të Shtetit të analizuara në këtë raport, IKD ka gjetur se vetëm 44 aktakuza e Prokurorit të Shtetit ka propozuar gjykatës shqiptimin e dënimit plotësues.

“Nga 116 aktakuza të Prokurorit të Shtetit të analizuara në këtë raport, IKD gjenë se në vetëm 44 aktakuza Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës shqiptimin e dënimit plotësues. Statistikë pothuajse identike qëndron edhe sa i përket shqiptimit të dënimeve plotësuese nga ana e gjykatave. Përkatësisht, nga 116 aktgjykimet dënuese të analizuara nga IKD, gjykatat kanë shqiptuar dënime plotësuese në vetëm 46 raste. Krahas numrit të ulët të dënimeve plotësuese, IKD gjenë se gjykatat vetëm përjashtimisht shqiptojnë dënime plotësuese në mungesë të propozimit të prokurorit të shtetit, përkundër faktit se shqiptimi i dënimeve të tilla, nuk është domosdoshmërisht i ndërlidhur me këtë propozim”, thuhet në njoftimin e IKD-së.

Sa i përket numrit të propozimeve për dënime plotësuese dhe dënimeve plotësuese të shqiptuara, IKD gjenë se shumica e tyre kanë të bëjnë me dënimin plotësues të konfiskimit, dënim ky që me hyrjen në fuqi të kodit të ri penal nuk cilësohet si dënim plotësues. Në këtë drejtim, nga 46 dënime plotësuese të shqiptuara nga gjykatat, 27 prej tyre janë konfiskime, që kryesisht kanë të bëjnë me rastet kur konfiskohen armët pa leje, narkotikët apo paratë e falsifikuara, sende këto me rrezikshmëri shoqërore, konfiskimi i të cilave nuk është domosdoshmërisht i ndërlidhur me fajësinë e të pandehurit.

Në anën tjetër, IKD gjenë se dënimi më i pazbatuar nga ana e sistemit të drejtësisë është “ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik” në rastet e korrupsionit. Nga gjithsej 38 raste të korrupsionit të analizuara, IKD gjenë se vetëm në një (1) rast, gjykatat i’a kishin ndaluar të dënuarit ushtrimin e funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik. Po ashtu, IKD ka evidentuar raste kur ky dënim është shqiptuar në mënyrë të kundërligjshme si dhe raste kur ky dënim nuk është shqiptuar, përkundër obligueshmërisë ligjore që i njëjti të shqiptohet. Po ashtu, IKD gjenë se vetëm në raste përjashtimore Prokurori i Shtetit propozon, përkatësisht gjykatat shqiptojnë dënimin plotësues “urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit”. Kjo qasje e sistemit të drejtësisë vështirëson pozitën e të dëmtuarit në realizimin e dëmit që të njëjtit i është shkaktuar nga kryerja e veprës penale, si dhe rëndon sistemin e drejtësisë me lëndë.

Top Channel