Deputeti nxjerr flamurin shqiptar në mes të kuvendit serb

26/11/2020 19:03
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka tronditur parlamentin serb në seancën plenare të kësaj të enjteje.

Ai ka marrë me vete flamurin e Shqipërisë, duke e vendosur pranë atij të Serbisë.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç ka reaguar shpejt ndaj këtij veprimi të deputetit shqiptar, duke i kërkuar atij që ta hiqte flamurin kuqezi, me argumentin se ishin duke shkelur ligjin e shtetit serb.

“Nëse nuk ka kaq shumë tonifikim…”, tha Kamberi dhe u ndërpre menjëherë nga Daçici. “Ne nuk kemi, nuk kemi tolerancë për shkeljen e rregullave të procedurës, unë ju kërkoj të hiqni flamurin”, tha Daçiç.

Kamberi foli sërish duke thënë se kërkesa që ta hiqte flamurin shqiptar ishte censurë. “Ju lutem me mirësi që të respektoni rregullat e procedurës së Asamblesë Kombëtare dhe vendimin për rendin e brendshëm në Asamblenë Kombëtare, i cili thotë qartë se është e ndaluar të shfaqen simbolet e një partie dhe një shteti të huaj përveç në mjediset e caktuara për palët”, tha Daçic. Pas kësaj, Kamberi e hoqi flamurin, por zhurma e shkaktuar ishte e madhe.

Një reagim pati edhe nga Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabic. Por pavarësisht reagimeve, deputeti shqiptar tha se për të nuk ka çështje më të rëndësishme sesa identiteti. “A ka ndonjë çështje më të rëndësishme se identiteti?

Ne mund të kemi para dhe punësim, por nëse nuk kemi identitet, gjuhë dhe shkrim… Ky është një flamur që shqiptarët e përdorin që nga viti 1443 dhe është më shumë një flamur kombëtar sesa një flamur shtetëror”, tha Kamberi.

Top Channel