Raportohet se Trump synon ta falë ish-këshilltarin Michael Flynn

25/11/2020 08:28

Presidenti amerikan, Donald Trump synon të shfrytëzojë mundësinë e faljes së ish-këshilltarit për Siguri Kombëtare, Micheal Flynn, i cili është deklaruar fajtor më 2017-ën për mashtrim të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) rreth kontakteve të tij me rusët, kanë raportuar mediat amerikane.

Trump u ka thënë ndihmësve të tij se planifikon të shtojë Flynn-in në një seri faljesh që do t’i bëjë publike pak ditë para përfundimit të mandatit, kanë raportuar mediat si Axios dhe New York Times, duke cituar burime të paidentifikuara.

Bisedimet sekrete të Flynn-it me ambasadorin rus në Uashington në dhjetor të vitit 2016, kanë qenë pikë kyçe e hetimeve për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe rreth asaj nëse ka pasur koordinim në mes të fushatës së Trumpit dhe qeverise ruse në zgjedhje.

Trump pati shkarkuar Flynn-in në shkurt të vitit 2017, mirëpo presidenti ka pretenduar se hetimet kanë qenë “gjueti shtrigash” politike dhe se Flynn është “burrë i mirë”.

Flynn, gjeneral ushtarak i pensionuar dhe ish-udhëheqës i Agjencisë për Inteligjencë në Mbrojtje, është deklaruar fajtor dy herë për gënjim të FBI-së për bisedat që ka pasur me ambasadorin rus në SHBA, gjatë tranzicionit presidencial në fund të vitit 2016 dhe të fillim të vitit pasues.

Mirëpo ai ka synuar të tërheqë deklaratën e tij, duke thënë se prokurorët i kanë shkelur të drejtat dhe e kanë shtyrë drejt një marrëveshjeje pranimi.

Përmes një veprimi befasues, në maj të këtij viti Departamenti amerikan i Drejtësisë ka tërhequr rastin kundër Flynn-it, duke thënë se gënjeshtrat e supozuara drejt FBI-së, nuk kanë qenë të rëndësishme.

Mirëpo një gjyqtar federal që ka shqyrtuar rastin e Flynn-it ka kërkuar kërkim më të thellë gjyqësor lidhur me këtë çështje. Një falje eventuale nga ana e Trumpit do ta largonte këtë rast nga gjykatat.

Top Channel