Pakistani refuzon ‘kategorikisht’ spekulimet se do të njohë shtetin e Izraelit

25/11/2020 21:12

Ministria e jashtme e Pakistanit ka përsëritur sot se nuk do të marrë në konsideratë njohjen e shtetit të Izraelit, duke ruajtur linjën e politikave ekzistuese, edhe pse disa vende arabe po lëvizin për ta bërë këtë.

Në deklaratën e sotme, zëdhënësi i ministrit të jashtëm i Pakistanit, Zahid Hafeez Chaudhri tha: “Refuzojmë kategorikisht spekulimet e pabaza në lidhje me mundësinë e njohjes së shtetit të Izraelit nga Pakistani”.

“Kjo për arsye se Pakistani mbron të drejtën e patjetërsueshme të popullit të Palestinës për vetëvendosje. Për një paqe afatgjatë, është e detyrueshme për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit më të rëndë të Lindjes së Mesme, në zbatim të rezolutave të OKB dhe Organizatës së Vendeve Islamike, me kufijtë e vitit 1967, me Al-Quds Al-Sharif (Jeruzalemi) si kryeqytet i një shteti të pavarur e të qëndrueshëm të Palestinës,” tha zëdhënësi.

Zhvillimi vjen pasi mediat izraelite raportonin dje se kryeministri Benjamin Netanyahu ka udhëtuar fshehtësisht drejt Arabisë Saudite për t’u takuar me Princin saudit të kurores Mohammed bin Salman dhe sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo.

Ministri i jashtëm saudit mohoi raportimet për takimin ndërsa zyra e Netanyahut nuk ka komentuar për të.

Prej shtatorit, administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka shtuar presionin ndaj vendeve si Emiratet e Bashkuara, Bahrein e Sudan për normalizim të marrëdhënieve me Izraelin.

Këtë muaj një presion të tilla nga SHBA e përmendi dhe kryeministri i Pakistanit, Imran Khan.

“Ka disa gjëra që nuk mund të thuhen sepse nuk duam të prishim marredhëniet e mira me disa vende. Dashtë Zoti që vendi ynë të mbahet me këmbët e tij dhe më pas mund të bëni pyetje të tilla,” tha kryeministri Khan kur u pyet nëse Pakistani po përballej me presion të tillë nga SHBA.

Khan përsëriti se qëndrimi i Pakistanit për konfliktin Palestinë-Izrael është i pandryshuar.

“Ne nuk mund të pranojmë Izraelin derisa ai nuk i jep palestinezëve të drejtën e një zgjidhjeje të pranueshme”, shtoi Khan.

FOTO GALERI
3/4
Ministri i jashtëm saudit mohoi raportimet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA