Maria Aleksandrovna Hartung, vajza e madhe e Pushkinit, lindi më 19 maj 1832, kurse emrin e mori nga gjyshja e poetit, Maria Aleksejevna Hannibal. Që në fëmijëri ajo ishte shëndetligë dhe kjo e shqetësonte shumë Pushkinin. Ka shumë letra të tij, ku babai i kujdesshëm interesohet për shëndetitn e të bijës: “A flet Masha? A ecën? Po dhëmbët? Ç’bën Puskina ime pa dhëmbë?” Maria ishte i vetmi fëmijë i poetit, që gjithsesi mbante mend diçka nga i ati.
Kur Pushkini vdiq, ajo ishte pesë vjeçe. Si bijë oborrtari, Maria mori arsim të veçantë në shtëpi. Në moshën nëntë vjeçe fliste dhe lexonte rrjedhshëm frëngjisht dhe gjermanisht, luante në piano dhe ishte një kundërshtare e denjë në shah për edukatorët e saj. Bukuria e Marisë bëri për vete shumë adhurues që t’i vinin rrotull, por të gjitha propozimet i refuzonte.
Por zemrën e saj e rrëmbeu general-majori Leonid Hartung. Ajo ishte atëherë 28 vjeçe ndërsa Leonidi, 26 vjeç. Pas 17 vjet të jetës bashkëshortore, Leonidin e akuzuan për vjedhjen e kambialeve dhe letrave me vlerë të një hebreu fajdexhi. Akuzat ishin të rreme, por Hartung, viktimë e një intrige, nuk mundi ta dëshmojë pafajësinë e tij, dhe kur trupi gjykues u tërhoq për të dhënë vendimin, ai vrau veten brenda në sallën e gjyqit, për t’i shpëtuar turpit. Në xhep i gjetën një letër me fjalët: “betohem para gjithëfuqishmit Zot, nuk kam vjedhur asgjë dhe armiqtë e mi i fal”.
Humbja e bashkëshortit ishte një goditje fatale për Maria Aleksandronën. Në një letër drejtuar të afëmve të saj, ajo shkruan; “Kam qenë e bindur që në fillim të procesit në pafajësinë e tij nga tmerret, që akuzuan burrin tim… Ai i fali të gjithë armiqtë e tij, por unë nuk i fal.” Sa ishte gjallë ajo i mbeti besnike burrit, me të cilin nuk pati fëmijë.
Maria jetoi tek të afërmit, ndihmonte në edukimin e fëmijëve dhe ishte shumë vepruese në gjithçka që kishte lidhje me babain e saj. Më 1880, së bashku me dy vëllezërit dhe motrën ishte e pranishme në ngritjen e monumentit në Moskë (Maria do të shkonte te monumenti i Pushkinit në Tvjerskij Bulvar, në kohë të mirë apo të keqe, deri në ditët e saj të fundit.) Maria iu drejtua për ndihmë perandorit, i cili lidhi një pension prej 240 rublash në muaj. Në vitin 1889, në njëqind vjetorin e lindjes së Pushkinit, pensionin ia rritën deri në 300 rubla.
Më 1900 u hap në Moskë një bibliotekë leximi me emrin Pushkin, të cilën e drejtoi Maria Aleksandrovna. Ajo punoi atje deri më 1910, aq sa e lejoi shëndeti. Kur erdhën bolshevikët në pushtet, ia hoqën pensionin, duke e lënë të moshuarën e mjerë pa asnjë mbështetje. Ndërkohë që makina burokratike shqyrtonte “shkallën e nevojës”, bija e Pushkinit vdiq nga uria më 7 mars 1919. Dokumentin për caktimin e pensionit e kishte firmosur personalisht Lenini, por ky pension i parë shkoi për të shlyer shpenzimet e varrimit të saj.
Top Channel