Shifra alarmante në Greqi/ Mbi 100 viktima, 2135 të infektuar

24/11/2020 17:16

Për të tretën herë brenda katër ditëve të fundit Greqia regjistron përsëri mbi 100 viktima.

Sipas autoriteteve shëndetësore 101 pacientë kanë humbur jetën nga Covid-19 në 24 orët e fundit duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave nga koronavirusi në 1815 vetë. Në rritje është edhe numri i të intubuarve që ka shkuar në 562.

Gjatë së martës u konstatuan gjithashtu edhe 2135 të prekur dhe në total numri i tyre ka shkuar në mbi 95000. Sipas specialistëve tashmë rastet janë të shpërndara thuajse në 50 zonat periferike të vendit ,ndërsa vendin e parë e mban përsëri Selaniku me 607, i ndjekur nga Athina me 401 dhe Larisa me 129.

Qeveria greke po vlerëson situatën e krijuar duke menduar seriozisht për një shtyrje të re të mbylljes së përgjithshme e cila ishte caktuar për tre javë, deri në fund të këtij muaji.

 “Ndodhemi në orët me të rëndësishme të betejës me pandeminë dhe dua që të dëgjohet sot ky mesazh kudo ,sidomos në Greqinë e Veriut. Sistemi Kombëtar I Shëndetësisë ka punuar kohët e fundit në limitet e tij dhe ka duruar. Jam i sigurt që edhe në ditët  e ardhshme do të durojë.  Do të presim të dhënat e javës tjetër që të shohim, një lehtësim të përkufizimit të masave”,  ka shtuar kryeministri grek  gjatë një telekonference duke theksuar se Krishtlindjet sivjet do të jenë tepër të ndryshme , pa udhëtime dhe tryeza familjare të mëdha.

Ndërkohë në një sondazh të kompanisë Kapa Research për koronavirusin shumica e grekëve 49% duket se nuk janë të kënaqur me përgatitjet e qeverisë për përballimin e valës së dytë. Gjithashtu një në katër qytetarë deklaron se nuk do të vaksinohet, ndërsa ende Demokracia e Re mbetet partia e preferuar e grekëve  me 37,4% ,13 pikë më tepër se partia opozitare Syriza, një diferencë që vërtet është ngushtuar, por tregon ende besimin e grekëve tek qeveria konservatore dhe kryeministri Mitsotakis.

Top Channel