Rusia akuzon SHBA-në për shkeljen e kufirit të saj detar

24/11/2020 12:10

Ministria ruse e Mbrojtjes akuzoi sot një luftanije ushtarake amerikane për shkelje të kufirit kombëtar në Detin e Japonisë.

Shkatërruesi USS John S. McCain ka hyrë në ujërat territorialë të Rusisë në Gjirin e Madh Peter, duke shkuar dy kilometra përtej kufirit detar, tha ministria në një deklaratë.

“Një fregatë Admiral Vinogradov nga flota ruse e Paqësorit, e cila po gjurmonte shkatërruesin e SHBA-së, paralajmëroi anijen e huaj përmes një kanali ndërkombëtar të komunikimit në lidhje me papranueshmërinë e veprimeve të tilla dhe mundësinë e përdorimit të një manovre përplasëse për të dëbuar ndërhyrësin nga ujërat territoriale”, tha ministria.

Pasi u paralajmëruan, anija amerikane u kthye menjëherë në ujërat neutrale dhe nuk u përpoq të hynte përsëri në territorin e Rusisë, theksohet më tej.

Fregata e Rusisë vazhdoi të kryejë detyra afër anijes luftarake të SHBA-së, ndërsa korveta “Sovershennyy” u dërgua po ashtu në këtë zonë.

Në vitin 2017, shkatërruesi USS John S. McCain u përplas me një anije cisternë në brigjet e Singaporit. Aksidenti mori jetën e 10 anëtarëve të ekuipazhit të saj dhe la pesë të tjerë të plagosur./AA/

Top Channel