Rritet presioni mbi shërbimet mjekësore, Suedia ashpërson masat

24/11/2020 20:45

Rritja e shpejtë e rasteve të reja të infektimit me COVID-19 dhe presioni mbi shërbimet mjekësore e shtynë qeverinë suedeze të marrë masa më të rrepta, që përfshijnë ndalimin e shitjes së alkoolit në nivel kombëtar pas orës 22:00 në bare dhe restorante, sipas “NBC News”.

Gjithashtu, duke filluar nga sot, numri i personave që mund të grumbullohen në publik ulet në tetë nga 50.

“Sonte, në fund të nëntorit 2020, është e qartë se do të duhet pak kohë para se të mund të kthehemi në normalitet,” tha kryeministri Stefan Löfven në një fjalim televiziv, raporton ATSh.

“Shumë i kanë lënë pas dore këshillat gjatë vjeshtës. Të gjitha gjërat që dëshironi të bëni, por që nuk janë të nevojshme, anulojini, shtyjini”, shtoi ai.

Qeveria qendrore lëshoi një rekomandim për qeveritë rajonale këtë muaj, për t’i këshilluar banorët të shmangin mbledhjet publike, si koncerte, shfaqje teatrore dhe leksione.

Rekomandime të veçanta lokale, përfshirë shmangien e transportit publik dhe dyqaneve, janë gjithashtu në fuqi në pjesën më të madhe të vendit.

Top Channel