Modeli britanik dënohet me pesë vjet burg për 40 euro kanabis në Indonezi (Foto)

24/11/2020 21:18

Një ish-model veshjesh nga Britania është dënuar së fundmi me pesë vjet burgim pasi u kap me kanabis në vlerë 40 euro në ishullin indonezian të Bali.

30 vjeçari Jed Texas do të kryejë dënimin në burgun famëkeq Kerobokan, në vendin e njohur për dënimet ekstreme për zotërimin e drogave.

Ai ishte arrestuar në prill në vilën e tij në zonën e pasur të Canggu ku policia gjeti nëntë qese me një total prej 85.15 gramë marijuana si dhe peshore elektronike.

Texas pranoi fajin dhe tha në lidhje video nga burgu me gjykatën e Denpasar, se ndjehej i turpëruar nga veprimet e tij.

Policia tha se gjatë bastisjes pas informacioneve publike, Texas kishte shkuar në dhomën e gjumit dhe tentoi të hidhte në tualet qeset e drogës.

I dënuari tha në gjykatë se ishte i varur nga droga prej sëmundjes mendore dhe ankthit.

“Nuk shkoja dot në shtëpi (gjatë pandemisë) prandaj bleva shumë marijuana për të hequr ankthin,” tha ai.

Ish modeli është gjobitur gjithashtu me 70,000 euro, të cilat nuk i paguan i shtojnë dhe gjashtë muaj të tjera burgim.

Texas pranoi përdorimin e marijuanës në Bali.

“Pranoj se përdorimi i marijuanës në Indonezi është kundër ligjit. Më vjen shumë keq. E dija që është ilegale, por nuk mendoja se dënimi do të ishte kaq i rëndë. Unë e përdor për trajtimin e çrregulimeve psikologjike. Marijuana është e ligjshme në Britani dhe aty gjendet kollaj,” tha mes të tjerash Texas në gjykatë.

Modeli i lindur në Londër ka punuar për kompanitë Burberry e Prada para se të vendosej në Melbourne të Australisë në 2015.

Ai është shfaqur në pasarela në Milan e Paris, dhe është emëruar për kopertinën e revistës Glamour Infusion në 2016.

Texas la Australine për t’u vendosur në Bali pak para nisjes së pandemisë së koronavirusit në mars.

FOTO GALERI
1/7
Një ish-model me pesë vjet burgim pasi u kap me kanabis në vlerë 40 euro në ishullin indonezian të Bali.

Top Channel