Emrat e ekipit të Joe Biden, Anthony Blinken për Sekretar Shteti, John Kerry i dërguar i posaçëm për çështjet e klimës

24/11/2020 02:12

Presidenti i zgjedhur në Shtetet e Bashkuara, Joe Biden, do të emërojë këshilltarin e tij të vjetër dhe diplomatin veteran, Anthony Blinken, si Sekretar të Shtetit, njoftoi ekipi i tranzicionit në SHBA, ku janë bërë të ditur edhe emra e tjerë që do të zënë vend në administratën e ardhshme amerikane.

Nëse nominohet dhe konfirmohet nga Senati, Blinken do të ketë detyrë krijimin e një qasje të re të diplomacisë amerikane dhe bashkëpunimit global, pas katër vjetëve të politikës “Amerika e Para” e presidentit aktual, Donald Trump, e cila është përcjellë me ndasi në institucionet ndërkombëtare dhe përplasje me aleatët dhe konkurrentët.

Jake Sullivan, një këshilltar i vjetër i Bidenit dhe ish-Sekretares së Shtetit dhe ish-kandidates presidenciale, Hillary Clinton, do të bëhet këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Ish-sekretari i Shtetit, John Kerry, do të emërohet i dërguar i posaçëm presidencial për çështjet e klimës dhe do të jetë pjesë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Pasi të marrë pozitën e presidentit, Biden planifikon të rikthehet në Marrëveshjen e Parisit për Klimën dhe të kthejë mbrapsht anëtarësimin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Linda Thomas-Greenfield do të bëhet ambasadore në Kombet e Bashkuara dhe Avril Haines do të zërë postin e drejtores së Inteligjencës Kombëtare, duke u bërë gruaja e parë në atë pozitë. Alejandro Mayorkas do të emërohet kreu i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, personi i parë me prejardhje latine në këtë post, që mbikëqyr agjencitë kryesore të zbatimit të ligjit dhe imigracionit.

Top Channel