Amerikanët shpërfillin virusin, udhëtojnë në masë për Festën e Falenderimeve

24/11/2020 03:56

Miliona amerikanë po sfidojnë paralajmërimet për koronavirusin dhe po udhëtojnë në prag të festës së Falënderimeve të enjten, që mund të çojë në një rritje të infeksioneve para se një seri vaksinash të reja të vihen në dispozicion të publikut.

Ndërkohë që numri i infektimeve në SHBA ka arritur një rekord prej mesatarisht 168,000 në ditë, amerikanët po vërshojnë në aeroportet e mbushura plot, megjithë këshillat e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), si dhe të ekspertit kryesor të vendit për sëmundjet ngjitëse, Dr. Anthony Fauci.

Rreth 1 milion udhëtarë kaluan të dielën nëpër kontrollet e aeroporteve, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë në Shtetet e Bashkuara. Ishte hera e dytë në tre ditë që udhëtarët e kontrolluar kapnin shifrën 1 milion, njoftoi Administrata amerikane e Sigurisë së Transportit.

Ndërkohë, mesatarja e vdekjeve nga COVID-i në SHBA u rrit për të 12-tën ditë me radhë, duke arritur në 1,500 që nga e hëna. Kjo e ka rritur më tej barrën për personelin e lodhur mjekësor, tani që shtrimet në spital me koronavirus janë rritur me gati 50 për qind gjatë dy javëve të fundit. Shtetet e Bashkuara e kanë tejkaluar tashmë shifrën e 255,000 vdekjeve dhe 12 milion infeksioneve që nga fillimi i pandemisë.

“Po u kërkoj amerikanëve, po ju lutem: duroni edhe pak,” tha të hënën zyrtari më i lartë shëndetësor i Shtëpisë së Bardhë, Jerome Adams në emisionin ABC News “Mirëmëngjes Amerikë”. “Ne duam që të gjithë ta kuptojnë se këto grumbullime festash mund të shndërrohen në ngjarje me efekte superpërhapëse të infektimeve.” Megjithatë, shumë amerikanë refuzojnë të ndjekin këshillat shëndetësore që mund t’u shpëtojnë jetën.

Në qarkun Grant të Virxhinias Perëndimore, klientët dhe pronarët e bareve nuk përfillën shenjat që u kërkonin të vinin maska, duke thënë se ishin të pakënaqur me imponimin e këtyre masave nga Guvernatori Jim Justice, i cili ka kërkuar që njerëzit të mbajnë detyrimisht maskë në mjediset e brendshme. Janel Henritz, familja e së cilës ka në pronësi vendpushimin Smoke Hole Caverns në qytetin e vogël Kabins, tha se trajtimi i koronavirusit duhet të jetë çështje e përgjegjësisë personale, jo e urdhrave të qeverisë.

“Nëse nuk ndiheni mirë të dilni, atëherë qëndroni në shtëpi. Askush nuk po ju thotë të vini në dyqanin tim për të blerë”, tha zonja Henritz për agjencinë Reuters. “Nuk më pëlqen të më komandojnë të tjerët.”

Pritje në Shtëpinë e Bardhë

Edhe Shtëpia e Bardhë nuk po i përfill këshillat e ekspertëve të vetë administratës Trump. Zonja e parë Melania Trump do të organizojë më 30 nëntor në Shtëpinë e Bardhë një pritje për festat, sipas një ftese të konfirmuar nga ABC News. Një seri aktivitetesh në Shtëpinë e Bardhë muajt e fundit kanë qenë të lidhura me një seri shpërthimesh të sëmundjes, ku vetë Presidenti Donald Trump u prek nga COVID-19 nga fundi i shtatorit deri në fillim të tetorit. Një ndihmës i Shtëpisë së Bardhë dhe katër të tjerë kanë rezultuar pozitivë ditët e fundit.

Ndihma mund të mbërrijë së shpejti. Kreu i fushatës amerikane për hedhjen e shpejtë në qarkullim të një vaksine tha se amerikanët e parë mund të fillojnë të injektohen rreth mesit të dhjetorit. Të hënën, një tjetër kompani globale barnash njoftoi rezultate premtuese të provave të saj. Punonjësit e kujdesit shëndetësor amerikan dhe njerëz të tjerë me rrezikshmëri të lartë mund të fillojnë të marrin vaksinat e prodhuara nga Pfizer Inc brenda një ose dy ditëve pas miratimit muajin e ardhshëm, tha të dielën Dr. Moncef Slaoui, këshilltari kryesor shkencor për “Operacionin Warp Speed”.

AstraZeneca e Britanisë tha të hënën se vaksina e saj mund të jetë 90% e efektshme kur administrohet në dy doza, një muaj larg njëra-tjetrës, siç treguan provat e fazës së vonë. Kjo vaksinë kandidate mund të ofrojë një mjet të ri për të luftuar pandeminë globale pasi është më e lirë, më e lehtë për t’u shpërndarë dhe më e shpejtë për t’u prodhuar sesa vaksinat rivale./VOA

Top Channel