Afrikë e Jugut, gratë vazhdojnë të jetojnë me frikën e abuzimit

24/11/2020 21:02

Statistikat e njoftuara në fillim të këtij muaji nga ministri i Policisë, Bheki Cele, tregojnë se pothuajse 9 mijë raste të përdhunimit u raportuan midis muajve korrik dhe shtator

Ministrja e Grave, Rinisë dhe Personave me Aftësi të Kufizuara e Afrikës së Jugut, Maite Nkoana-Mashabane, ka deklaruar se gratë dhe fëmijët në vendin e saj vazhdojnë të jetojnë në frikë, pasi dhuna me bazë gjinore dhe femicide është kthyer pothuajse në një pandemi.

“Përderisa vazhdojmë të përballemi me pandeminë COVID-19, vendi ynë po ashtu po përballet me pandeminë e dytë të dhunës me bazë gjinore dhe femicide”, tha Nkoana-Mashabane gjatë hapjes së aktivitetit të “16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave”.

Statistikat e njoftuara në fillim të këtij muaji nga ministri i Policisë, Bheki Cele, tregojnë se pothuajse 9 mijë raste të përdhunimit u raportuan midis muajve korrik dhe shtator.

Ministrja Nkoana-Mashabane tha se përpjekjet e qeverisë për fushatën e re do të vazhdojnë përpjekjet e saj për t’i dhënë fund të gjitha formave të dhunës.

Ajo tha se fuqizimi ekonomik i grave është një nga përbërësit e rëndësishëm të qeverisë e cila synon zhdukjen e dhunës dhe femicidit, si dhe ndërtimin e një vendi jo-seksist.

“Afrika e Jugut është në proces të ratifikimit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), e cila vendos një standard global për mbrojtjen e grave në botën e punës“, tha Nkoana-Mashabane, duke shtuar se vendi i saj bëri një angazhim për të caktuar 40 për qind prokurime prefenciale për bizneset në pronësi të grave.

Siç tha ajo, në mënyrë që të çrrënjoset dhuna me bazë gjinore dhe femicide, duhet që shoqëria dhe qeveria të punojnë së bashku “për të thyer heshtjen, të raportojnë abuzimin dhe që burrat dhe djemtë të jenë partnerë”./AA.

Top Channel