Arabia Saudite mohon vizitën sekrete të kryeministrit izraelit

23/11/2020 19:17

Ministri i jashtëm i Arabisë Saudite ka mohuar sot se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka ardhur me avion në mbretërinë e Gjirit Persik për takime sekrete me princin e kurorës Mohammed bin Salman.

“Asnjë takim i tillë nuk ka ndodhur,” tha Princ Faisal bin Farhan Al Saud.

Ndërsa Netanyahu ka refuzuar të komentojë mbi raportimet se me një avion privat ka fluturuar nga Tel Aviv drejt qytetit të Detit të Kuq, Neom.

Nëse është i vërtetë ky do të ishte takimi i parë mes liderëve të vendeve që nuk kanë marrëdhënie diplomatike, dhe vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka nisur një fushatë presioni për normalizimin e marrëdhënieve mes vende të rajonit si Emiratet e Bashkuara, Bahrein e Sudan me Izraelin.

Arabia Saudite i ka pritur me kujdes lëvizjet por ka sinjalizuar se për një marrëveshje me Izraelin do të duhet një marrëveshje paqeje mes tij dhe Palestinës.

Duke cituar burime anonime, mediat shtetërore izraelite Kan dhe të tjera pas saj, kanë thënë se Netanyahu dhe kreu i shërbimeve sekrete izraelite Mossad, Yossi Cohen, kanë qenë në Arabinë Saudite të dielën për bisedime me princin e kurorës.

Por më vonë ministri i jashtëm saudit mohoi raportimet.
“Zyrtarët e vetëm prezentë në takime ishin amerikanë dhe sauditë,” tha Princ Faisal.

Ndërkohë sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo tha se kishte mbajtur takime të dobishme me Princ Mohammed në Neom, duke postuar një foto të të dyve.

Udhëtimi në fjalë ishte pikasur nga një gazetar izraelit, me anë të një rrjeti që gjurmon fluturimet komerciale, sipas të cilit një avion privat ishte përdorur nga Netanyahu për të flurturuar në qytetin saudit të Neom.

Mediat izraelite thonin se Netanyahu përdori avionin privat të biznesmenit Udi Angel, siç ka bërë edhe më parë për udhëtime jashtë shtetit.

Ministri i arsimit të Izraelit, Yoav Gallant dukej se konfirmonte takimin pasi tha se bisedimet mes Netanyahu e Princit të Kurorës Mohammed ishin një arritje e madhe.

Top Channel