Nga sot salla e studimit e Arkivit të Shqipërisë do të jetë përtej kufirit, edhe në Maqedoninë e Veriut!

Sipas drejtori i Përgjithshëm i Arkivit, Ardit Bidos, studiuesi që do të vijë në Këndin Arkivor në Shkup, është njësoj sikur të ishte në Tiranë. Edhe në Tiranë do të bënte të njëjtën gjë, pa as edhe një lloj ndryshimi.

Këndi Arkivor është hapësira e re e krijuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e që do të jetë tek Leximorja e Çairit në Shkup. Në prezantimin e këtij bashkëpunimi që ua lehtëson punën studiuesve dhe të interesuarve për arkivat, ishte drejtori i Përgjithshëm i Arkivit, Ardit Bido, kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, zëvendësdrejtori i Arkivit të Maqedonisë, Muzafer Bislimi dhe zyrtarë të tjerë nga Maqedonia e Veriut.

Drejtori i Përgjithshëm Bido, në fjalën e tij tregoi se përmes kësaj platforme, çdo studiues pa qenë nevoja për të udhëtuar drejt Tiranës, mund të kërkojë dokumente arkivore të fondit të pasur me mbi 300 milionë dokumente që ka Arkivi i Shtetit në Shqipëri, e që është e gjithë historia e kombit para vitit 1945, përfshirë edhe viset e Maqedonisë, Kosovës e Rajonit.

“Studiuesi që do të vijë në Këndin Arkivor në Shkup, është njësoj sikur të ishte në Tiranë. Edhe në Tiranë do të bënte të njëjtën gjë, pa as edhe një lloj ndyshimi. Është ekzaktësisht e njëjta formë bashkëpunimi, që nesër pasnesër ta kemi, jo vetëm kombëtar, por dhe rajonal. Ta kemi edhe në Arkivin e Maqedonisë, që ka dokumentacion mbi shqiptarët, por shumicën dërmuese e ka mbi kombin maqedonas, ta kemi edhe me Arkivin bullgar, ta kemi edhe me Arkivin grek, pse jo!” u shpreh Bido.

Zëvendësdrejtori i Arkivit të Maqedonisë së Veriut, Muzafer Bislimi, përshëndeti këtë nismë të DPA-së, ndërsa theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer që ka Arkiva e Maqedonisë me atë të Shqipërisë,  duke shtuar se synimi është që të gjitha fondet që kanë të bëjnë me historinë shqiptare, të jenë si në Shkup, po ashtu edhe në Tiranë.

“Me kalimin e kohës synojmë që fondet që janë për historinë shqiptare, t’i kemi jo vetëm në mënyre elektronike, por edhe fizikisht të kenë mundësi të studiohet edhe në Arkivin e Maqedonisë por edhe në Arkivin e Tiranës. Unë besoj se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tej!”, theksoi zv/drejtori i Arkivit të Maqedonisë së Veriut, Muzafer Bislimi.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, në territorin e së cilës është hapur Këndi Arkivor, tregoi se e kanë mirëpritur ardhjen e Arkivit të Shqipërisë në Komunën e tyre.

“Jam tepër i lumtur që sot kemi mundësinë që bashkërisht ta hapim, që të gjithë studiuesit të kenë mundësi dhe qasje në të gjithë informacionin dhe të gjtiha ato që i kanë lëndë hulumtimi, që të kenë mundësi që edhe pa qenë me prezencë fizike në Tiranë, të kenë mundësi nga këtu të hulumtojnë! Projekti është i qëlluar dhe më vjen mirë se pas Shkupit, projekti menjëherë bartet në Prishtinë!”, u shpreh Ganiu.

Kjo nismë e DPA-së ka për qëllim nxitjen e kërkimit shkencor dhe ofrohet me të njëjtat rregulla, të njëjtat procedura, të njëjtën shpejtësi dhe të njëjtën formë siç ofrohet në Sallën e Studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Procedura e regjistrimi në Sallën e Studimit kryhet përmes internetit, jashtë këtij Këndi Arkivor, në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Pas aprovimit, që zgjat një ditë pune, aplikuesi përmes E-mailit do të pajiset me fjalëkalimin për të hyrë në Sallën e Studimit.

Pasi të jetë bërë ky regjistrim, qytetari dhe studiuesi mund të porosisë dosjet që dëshiron, ta konsultojë, si në këtë Kënd Arkivor, po ashtu edhe në adresën katalogu.arkiva.gov.al.

Dosjet e porositura do të shërbehen ditën që është përzgjedhur nga aplikuesi në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune.

FOTO GALERI
9/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA